Qeveria urdhëron çlirimin e hapësirave publike, por disa drejtues policie me lidhje politike vazhdojnë të zaptojnë prona publike pa u ndëshkuar.
Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për të pastruar hapësirat publike, janë rrënuar bujtinat në Theth dhe janë hequr tendat nga trotuarët e Tiranës e qyteteve të tjera. Megjithatë, një pjesë e policisë, bashkive dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nuk po ndërhyn për të larguar zaptuesit me uniformë, të cilët shfrytëzojnë lidhjet me qeverinë.
Një shembull i qartë i kësaj paprekshmërie është zona e njohur si “Gjiri i fshehur” në Porto Palermo, e cila ndodhet brenda territorit ushtarak. Këtë hapësirë e ka pushtuar oficeri i policisë kriminale në Qarkun e Vlorës, Vojo Peçi, vëllai i ish-kryebashkiakut dhe deputetit të PS-së, Tërmet Peçi.
Vojo Peçi, i identifikuar si kultivues kanabisi dhe trafikant droge nga SHISH dhe vetë policia, ka zaptuar tokën dhe plazhin në Porto Palermo pa asnjë pronësi ligjore. Ai nuk ka blerë as nuk ka trashëguar këtë pronë, dhe as nuk e ka marrë me vendim qeverie.
Ai e ka rrethuar hapësirën me gardh, ka vendosur portë hekuri dhe roje me armë në mënyrë ilegale, duke krijuar një lloj baze ushtarake private. Brenda zonës, ai ka ndërtuar hotel, parking, bujtina dhe çadra plazhi me shezlongë, ku lejohen vetëm pushuesit që paguajnë për shërbimin e plazhit.
Turistët dhe qytetarët vendas që kanë tentuar të hyjnë në këtë zonë janë përballur me refuzim dhe janë kërcënuar apo rrahur nga rojet dhe njerëzit që Vojo Peçi ka vendosur si “trimat” e tij.
Pavarësisht denoncimeve të shumta dhe pamjeve të publikuara nga mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë dhe vetë kryeministri Edi Rama nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të liruar këtë pronë publike.
Institucionet qendrore dhe lokale heshtin përballë këtij zaptimi, duke lënë në dorë të Vojo Peçit dhe të vëllait të tij deputet kontrollin mbi “Gjirin e fshehur”.
Arsyeja kryesore që ndalon ndërhyrjen është mungesa e urdhërit nga kryeministri Rama për të çliruar dhe për të prishur strukturat që Vojo Peçi ka ndërtuar në këtë territor.
Mëngjesin e së dielës, kryeministri urdhëroi Drejtorin e Policisë Ilir Proda të shkarkojë dhe përjashtojë nga policia ata punonjës që kanë zaptuar hapësira publike dhe i përdorin për përfitime personale.
Megjithatë, Vojo Peçi nuk ka hequr dorë nga prona që ka uzurpuar në Porto Palermo, dhe Proda nuk ka marrë masa për përjashtimin e tij nga radhët e policisë.


