Analiza e fundit tregon se Shqipëria renditet në fund të vendeve evropiane për cilësinë e ujërave, me vetëm 16% të tyre të klasifikuara si “të shkëlqyera” për tu larë.
Sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), një pjesë e madhe e vendeve europiane ofrojnë ujëra me cilësi të lartë për larje. Nga 22,127 pika të analizuar bregdetare, liqenore dhe lumore, 85% e tyre morën vlerësimin “të shkëlqyer”. Në krye të listës qëndron Qiproja, me më shumë se 99% të ujërave të saj të cilësisë më të mirë, duke përfshirë plazhet e famshme të Aya Napa dhe Gjirit të Fikut.
Bullgaria po ashtu ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ujërave të saj, duke u renditur e dyta me 98% të pikave të përshtatshme për larje. Ky është një lajm i mirë për adhuruesit e detit në zonën e Detit të Zi.
Ndërsa, Shqipëria përballet me sfida serioze në këtë drejtim. Vetëm 16% e ujërave të saj u vlerësuan si “të shkëlqyera”, ndërsa 23% u konsideruan me cilësi të dobët. Universiteti Bujqësor i Tiranës evidenton mungesën e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në shumë zona me mbi 5,000 banorë, gjë që çon në derdhjen e ndotësve direkt në lumenj dhe det.
Problemet shtesë lidhen me ndotjen nga plastika dhe mikroplastika. Shqipëria renditet e treta në Europë për hedhjen e plastikës në ujë, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me rreth tre kilogramë plastikë për frymë në vit. Megjithatë, vendi ka nisur të investojë në përmirësimin e infrastrukturës së trajtimit të ujërave, me ndihmën e Bashkimit Europian dhe Bankës Botërore.
Në Francë, Itali dhe Spanjë, disa zona janë gjithashtu nën vëzhgim për cilësi të dobët të ujërave, me 58 pika larjeje që kanë probleme të vazhdueshme, ndërsa disa prej tyre mund të përballen me ndalime të përhershme për larje.
Ekspertët paralajmërojnë se përzgjedhja e një vendi për larje duhet të bazohet në analizat shkencore dhe jo vetëm në pamjen e ujit. Prania e baktereve fekale dhe lulëzimeve toksike të cianobaktereve janë faktorë kritikë për sigurinë e larjes dhe shëndetin publik.
Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të theksojë dhe përshpejtojë masat për trajtimin e ujërave dhe menaxhimin e ndotjes për të përmirësuar imazhin dhe sigurinë e zonave të larjes, duke garantuar kështu një eksperiencë të sigurt dhe të këndshme për turistët dhe banorët.


