Turizmi në Sarandë në rënie: sfidat e sezonit veror 2025

Saranda po përballet me një sezon veror zhgënjyes ku numri i turistëve bie ndjeshëm dhe çmimet e parkingut ngrejnë tensionin në qytet.

Në qershor, shifrat zyrtare të INSTAT-it konfirmojnë një ngritje të numrit të hyrjeve, por gjithashtu edhe një rritje të numrit të shtetasve të huaj në dalje, rreth 5,3 % më shumë se në qershor 2024 sipas të dhënave zyrtare dhe kjo ndikon tek turizmi në Sarandë, duke shënuar kështu një kthesë të papritur pas tre viteve me performancë të qëndrueshme. Ky fillim sezoni i dobët tregon qartë se turizmi elitar në qendër të Sarandës po humbet fuqi dhe numri i pushuesve këtë verë është ndjeshëm më i ulët se në vitet e mëparshme.

Të dhënat tregojnë se grupet e vogla turistësh janë të vetmit që vizitojnë qytetin dhe qëndrojnë kryesisht në plazhin publik të Sipërmarrjes. Ndërkohë, tregtarët lokalë në shëtitoren kryesore shprehen me shqetësim për një trend rënës në frekuentimin gjatë muajit korrik, duke vënë në dukje se ky është një fenomen që përsëritet çdo vit.

Pamjet e kamerave të Apollon TV, të vendosura përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, tregojnë një realitet larg pritshmërive. Si qytetarët vendas, ashtu edhe turistët e huaj janë të rrallë në këto ditë të nxehta vere, duke shmangur bregdetin jugor të Shqipërisë për arsye të ndryshme.

Një ndër faktorët kryesorë që ndikon negativisht në turizëm është çmimi i lartë i akomodimit. Banorët dhe tregtarët e lokaleve në vijën e parë bregdetare ankohen për abuzime të çmimeve, që po ulin ndjeshëm numrin e turistëve gjatë korrikut 2025.

Një shqetësim tjetër i madh është mungesa e hapësirave të parkingut në qytet. Saranda, e mbushur me ndërtime pa kriter, nuk ka parashikuar hapësira të mjaftueshme për parkimin e makinave, ndërkohë që parkingjet private janë të shtrenjta dhe shpesh jashtë ligjit.

Çmimet për parkimin në këto hapësira private variojnë nga 800 deri në 1000 lekë të reja për tre orë, dhe 1500 deri në 2000 lekë për 12 orë. Kjo detyron qytetarët të parkojnë në vende të ndryshme, ku përballen me ndëshkime administrative dhe gjoba nga punonjës që shpesh abuzojnë me situatën.

Kjo situatë e vështirë ka sjellë largimin e shumë turistëve, si vendas ashtu edhe të huaj, që preferojnë destinacione më të përballueshme dhe me infrastrukturë më të mirë. Ky është një sinjal i qartë për institucionet shtetërore që duhet të ndërhyjnë menjëherë për të mbrojtur imazhin e Sarandës si një prej perlave të turizmit shqiptar.

Edhe pse institucionet reklamojnë turizmin në jug, realiteti në terren flet ndryshe. Parkimet e pakta dhe kostoja e lartë i kanë penguar shumë anije turistike që të ankorohen në qytet, duke reduktuar ndjeshëm numrin e turistëve që vizitojnë bregdetin jugor.

Turizmi elitar shqiptar duhet të përballet me sfida reale për të rivalizuar me vendet fqinje. Kjo kërkon politika më të qëndrueshme që nuk përfshijnë vetëm rritje çmimesh, por përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve për turistët dhe banorët.

Nëse situata nuk ndryshon, Saranda rrezikon të humbasë statusin e saj si destinacion turistik i preferuar, duke dëmtuar jo vetëm bizneset lokale, por edhe ekonominë e zonës në përgjithësi.

Raporton: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: