Fitimet e operatorëve celularë arrijnë nivelin më të lartë që prej vitit 2019

Dy operatorët celularë në Shqipëri fituan për vitin 2024 rreth 1.68 miliardë lekë neto, duke shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe fitimeve krahasuar me vitin paraprak.

Fitimet e operatorëve celularë në vend shënuan një rritje të fortë gjatë vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Vodafone Albania regjistroi fitim neto rreth 1.2 miliardë lekë, nga vetëm 300 milionë lekë një vit më parë. Ndërkohë, One Albania përmirësoi dukshëm performancën, duke përfunduar vitin me një fitim neto prej 476 milionë lekësh, krahasuar me 70 milionë lekë në vitin 2023.

Kjo rritje e fitimeve çoi totalin e të ardhurave neto të dy operatorëve në afërsisht 1.68 miliardë lekë, shifër kjo më e larta që prej vitit 2019. Një nga arsyet kryesore të këtij përmirësimi është rritja e çmimeve të shërbimeve të komunikimit, që pasqyrohet në të ardhura më të larta për operatorët.

Numri i operatorëve celularë është ulur nga tre në dy, duke sjellë konkurrencë më të reduktuar dhe shtrenjtim gradual të paketave të shërbimeve. Pas vitit 2022, çmimet për paketat bazike me parapagesë janë rritur me 100 deri në 200 lekë, ndërsa njësitë e përfshira në këto paketa janë reduktuar, duke i shtyrë përdoruesit të kalojnë në oferta më të shtrenjta.

Në fillim të vitit 2024, dy operatorët përcaktuan të drejtën për indeksimin e çmimeve çdo vit sipas inflacionit zyrtar nga INSTAT. Megjithatë, Vodafone Albania nuk përdori këtë klauzolë në vitin që lamë pas, ndërsa One Albania e aktivizoi atë vetëm më 1 qershor 2024 dhe vetëm për klientët biznes.

Nga ana tjetër, të ardhurat totale nga shërbimet e komunikimit elektronik arritën në 27.93 miliardë lekë, me rritje prej 8.9% krahasuar me vitin 2023. Në tregun celular, Vodafone Albania ruajti dominimin me 58% të xhiros totale, një përmirësim nga 56% në vitin e mëparshëm.

Numri i kartave SIM në fund të vitit 2024 ishte rreth 3.4 milionë, që tregon se mesatarisht çdo banor në Shqipëri posedon 1.4 karta SIM, më shumë se mesatarja evropiane prej 1.25 kartash për banor. Megjithatë, kartat SIM aktive, pra ato që përdoren për të komunikuar në tre muajt e fundit, ranë me 3.8%, duke arritur në 2.5 milionë.

Kjo situatë reflekton një treg në ndryshim, ku fitimet rriten kryesisht për shkak të çmimeve më të larta, ndërsa përdorimi aktiv ka tendencë të stabilizohet apo pakësohet. Operatorët vijojnë të adaptohen me paketat dhe kushtet kontraktuale për të ruajtur pozicionin dhe fitimet e tyre në një treg gjithnjë më të sfiduar.

Ndaj Postimin: