Voltalia kërkon më shumë tokë për impiante diellore në Shqipëri

Kompania franceze kërkon tokë me qira për 30 vjet për të zgjeruar projektet e saj të energjisë diellore në Shqipëri

Kompania franceze Voltalia, e pranishme në Shqipëri përmes parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe projektit ende të pazhvilluar të Spitallës, ka nisur një fushatë për të gjetur toka të lira me qira për 30 vjet. Qëllimi është zgjerimi i mëtejshëm i pranisë së saj në sektorin e energjisë së rinovueshme në vend.

Përmes një njoftimi të sponsorizuar në rrjetet sociale, Voltalia i fton qytetarët apo subjektet me tokë të pashfrytëzuar të bashkëpunojnë me të, duke ofruar një çmim konkurrues për çdo hektar tokë. Kompania garanton të ardhura afatgjata dhe pa rrezik për pronarët, ndërkohë që thekson avantazhin e të qenit partner me një kompani ndërkombëtare në fushën e energjisë së gjelbër.

Fushata është një sinjal i qartë se interesat për zhvillimin e projekteve diellore në Shqipëri po shtohen. Pavarësisht kësaj, shumë prej aplikimeve që paraqiten pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbeten vetëm në letër, ndërkohë që projektet e realizuara janë të pakta.

Karavasta Solar, një nga investimet kryesore të Voltalias në vend, ka një kapacitet prej 140 MW dhe nisi prodhimin në fund të vitit 2023. Ky impiant përfaqëson 3.2 për qind të prodhimit neto të energjisë elektrike në Shqipëri për vitin e kaluar.

Voltalia fitoi ankandin e parë për këtë park, duke ofruar një çmim prej 24.89 euro për megavat. Nga ky kapacitet, gjysma shitet në treg të lirë dhe gjysma tjetër furnizon rrjetin energjetik me çmim të rregulluar për 15 vjet, sipas marrëveshjes me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë.

Ndërkohë, projekti në Spitallë, me një kapacitet të planifikuar prej 100 MW, mbetet i vonuar. Edhe pse ankandi përfundoi me një çmim 29.89 euro për megavat/orë, zbatimi nuk ka avancuar me ritmet e pritura. Pjesa më e madhe e prodhimit parashikohet të blihet nga shteti, ndërsa pjesa tjetër do të tregtohet lirshëm.

Investimet në energjinë diellore po konsiderohen gjithnjë e më shumë si zgjidhje për qëndrueshmërinë energjetike të Shqipërisë, dhe interesi i shtuar i kompanive të huaja konfirmon potencialin e kësaj fushe në rritje.

Ndaj Postimin: