Investitorë nga Izraeli shfaqin interes për të hyrë në tregun bankar shqiptar, duke ndjekur një cikël të ri zgjerimi të këtij sektori në vend
Tregu bankar shqiptar po tërheq vëmendjen e investitorëve të huaj, teksa pas aplikimit të bankës turke Ziraat, tashmë është radha e përfaqësuesve nga Izraeli. Sipas burimeve të afërta me zhvillimet, Gal Bar Dea, ish-drejtor i përgjithshëm i One Zero Digital Bank, ka shprehur interes për të nisur një bankë të re në Shqipëri.
One Zero, e themeluar në vitin 2019, është banka e parë plotësisht dixhitale në Izrael dhe kishte ambicie për t’u zgjeruar në tregje ndërkombëtare, përfshirë edhe një bashkëpunim me Banca Generali në Itali. Megjithatë, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe situatës së ndërlikuar gjeopolitike, planet e zgjerimit janë pezulluar.
Gal Bar Dea është larguar nga drejtimi i One Zero pikërisht për shkak të ndryshimit të strategjisë globale të bankës, dhe nuk përjashtohet që angazhimi i tij në Shqipëri të jetë një përpjekje e pavarur për të ndërtuar një model të ri bankar dixhital në rajon. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë një aplikim zyrtar për licencim nga kjo iniciativë.
Tregu bankar shqiptar ka kaluar një fazë përqendrimi që nga viti 2015, duke reduktuar numrin e bankave nga 16 në 11 përmes blerjeve dhe përthithjeve nga aktorë më të mëdhenj. Rasti më i fundit ishte ai i vitit 2022, kur OTP Albania bleu dhe përthithi Alpha Bank Albania.
Megjithatë, rritja e tregut dhe përmirësimi i përfitueshmërisë kanë rindezur interesin për zgjerim. Të dhënat tregojnë një potencial për rritje të numrit të bankave, duke e bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës për kapitale të reja dhe modele inovative financiare.
Interes për të hyrë në këtë treg kishte shfaqur vite më parë edhe grupi estonez Iute, i pranishëm në mikrofinancë në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë. Por, planet e tyre nuk avancuan për shkak të kritereve të reja licencuese nga Banka e Shqipërisë, që favorizojnë aktorë me reputacion të provuar në industrinë bankare.
Në këtë klimë të re, ku kërkohen standarde më të larta për përvojën dhe besueshmërinë e investitorëve, iniciativat si ajo e Bar Dea mund të jenë ndër të paktat që plotësojnë kushtet për t’u pranuar në treg. Shqipëria duket e gatshme për një fazë të re të bankingut, të përqendruar më shumë në teknologji dhe inovacion.