Brenda 72 orëve, janë arrestuar ose proceduar 12 persona të dyshuar për ndezje zjarresh në disa qarqe të vendit
Në tre ditët e fundit, vendi është përballur me një valë zjarresh që ka përfshirë zona të mbrojtura, sipërfaqe pyjore, prona private dhe male. Autoritetet kanë nisur procedime penale ndaj 12 shtetasve, të cilët dyshohen se kanë shkaktuar flakët, me dashje apo nga pakujdesia.
Në Tiranë, një person është ndaluar pas djegies së një pjese të zonës së mbrojtur të Malit me Gropa. Në Durrës, një zjarr masiv përfshiu një zonë të gjelbër në fshatin Shetel, duke rrezikuar shtëpitë përreth. Për këtë rast është vënë në pranga një shtetas.
Në Fier, një tjetër i dyshuar u ndalua pas djegies së një sipërfaqeje në Frakull të Vogël, ndërsa në Stan Karbunarë një person u procedua për djegie mbeturinash që dëmtuan pemët e një tjetër shtetasi. Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Vlorë, ku një zjarr në malin e Shashicës u përhap me shpejtësi për shkak të pastrimit të pakujdesshëm të territorit.
Në Sarandë, një 59-vjeçar u procedua për zjarr në malin e Finiqit, ndërsa në Gjirokastër, një shtetas u arrestua për ndezjen e flakëve në zonën e Kakavijës. Në Kurbin, një konflikt mes banorëve çoi në djegien e një sipërfaqeje në zonën e mbrojtur të Shkopetit, me autorin e dyshuar të proceduar.
Shkodra, Dibra, Poliçani, Belshi dhe Cërriku janë gjithashtu pjesë e këtij bilanci alarmues, ku personat e dyshuar kanë ndezur flakë që më pas kanë dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi dhe tokë bujqësore.
Autoritetet lokale janë vënë në gatishmëri të plotë dhe kanë intensifikuar kontrollet në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe njësitë e emergjencave. Zyrtarë përgjegjës kanë dhënë urdhra të prerë për ndëshkimin e çdo rasti që rrezikon sigurinë mjedisore dhe jetën e qytetarëve.
Thirrja ndaj banorëve është e qartë: të shmangin ndezjen e çdo lloj zjarri, veçanërisht në zona me bimësi të dendur apo afër rrugëve. Moskujdesi i vetëm i një individi mund të ndezë qindra hektarë dhe të kërcënojë komunitete të tëra.
Autoritetet nxisin denoncimin e rasteve të zjarrvënies në numrin pa pagesë 112, duke garantuar ruajtjen e identitetit të raportuesve dhe reagim të menjëhershëm për parandalimin e fatkeqësive të mëtejshme.


