Dhuna në lokal në Vlorë trondit sezonin turistik

Dhuna e egër ndaj kamarierit në një lokal të Vlorës ka tronditur komunitetin turistik dhe ngriti pyetje për sigurinë dhe drejtësinë në qytet.

Një efektiv policie jashtë detyrës dhe një person me precedent kriminal sulmuan barbarisht një të ri gjatë orarit të punës, duke frikësuar klientët vendas dhe të huaj.

Një ngjarje shqetësuese ndodhi mbrëmjen e kaluar në një hotel të njohur në zonën e Skelës, Vlorë, ku një kamarier i ri u sulmua brutalisht nga dy persona, përfshirë një ish-shef të qarkullimit rrugor dhe një individ me të kaluar kriminale. Burime të sigurta dhe pamjet filmike zbuluan se Ardian Isufi, ish-drejtues i policisë rrugore në Vlorë, dhe Leart Bimo, me precedentë penalë të rëndë, ushtruan dhunë fizike dhe fyerje ndaj punonjësit, vetëm sepse ai kishte sjellë një shishe uji shtesë në tavolinë.

Dëshmitarët raportuan se Isufi i afrohej kamarierit me kërcënime fizike, ndërsa më pas Bimo e sulmoi disa herë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e të riut. Dhuna ndodhi në prani të klientëve, të cilët, të tronditur dhe të trembur, u larguan menjëherë nga lokali duke e lënë atë bosh.

Më shqetësues është fakti që ngjarja dyshohet të ketë qenë e orkestruar për të intimiduar dhe dëmtuar qëllimisht biznesin. Kjo ndodh në një qytet turistik në kulmin e sezonit, ku vizitorët presin siguri, por përballen me aktet brutale të atyre që duhet të ruajnë rendin.

Institucionet janë në qendër të vëmendjes dhe pyetjet janë të shumta: Pse SHÇBA nuk ka ndërmarrë masa të menjëhershme për pezullimin e ish-efektiv Isufi? A do të hapë Prokuroria e Vlorës hetim për veprat penale të dhunës dhe kanosjes? A do të distancohet Policia nga punonjësit që njollosin uniformën dhe besimin publik? Dhe më e rëndësishmja, kush mban përgjegjësi për sigurinë e punonjësve të ndershëm, që sulmohen në sy të turistëve?

Kjo ngjarje nuk është thjesht një incident, por një sinjal alarmi për shoqërinë dhe institucionet që duhet të garantojnë drejtësi dhe rend. Një të ri që kërkon të mbajë familjen me punën e tij sulmohet barbarisht, ndërsa krimi dhe uniforma e policisë duken si bashkëpunëtorë në një lojë të rrezikshme për sigurinë publike në Vlorë.

Ndaj Postimin: