Rritja e numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të parë të vitit ishte vetëm 4.8 për qind, duke treguar një ngadalësim të dukshëm për turizmin, që tradicionalisht ka qenë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë.
Shpresat për një përmirësim të ndjeshëm në sektorin e turizmit u shuan këtë vit, pasi të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë për një rritje modeste, edhe gjatë periudhës më të nxehtë të sezonit. Në muajin qershor, numri i vizitorëve të huaj u rrit me vetëm 7.6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shumë larg ritmeve dyshifrore që u panë në vitet e mëparshme.
Në total, Shqipëria pranoi 4.76 milionë turistë të huaj në gjysmën e parë të vitit 2025, nga 4.54 milionë që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo rritje prej 4.8 për qind është larg pritshmërive që qeveria dhe bizneset e turizmit kishin për këtë vit.
Kjo ngadalësim ishte paralajmëruar prej kohësh nga operatorët turistikë, të cilët raportuan për më pak vizitorë dhe një fluks më të ulët se në vitet e kaluara. Turizmi ka qenë motor i zhvillimit ekonomik në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit, duke kontribuar fuqishëm në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto, por këtë vit rritja e këtij sektori duket më e kufizuar.
Rritja më e ngadaltë në turizëm pritet të ndikojë negativisht edhe në ritmin e përgjithshëm të rritjes ekonomike të vendit, ku sektori i turizmit ka peshën kryesore.
Nga ana e origjinës së turistëve, Europa vazhdon të mbajë vendin kryesor. Të dhënat tregojnë se 94 për qind e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri vijnë nga kontinenti europian. Brenda këtij rajoni, rajoni jugor mban pjesën më të madhe të vizitorëve, duke zënë rreth 70 për qind të totalit.
Këto shifra ngrenë pyetje për politikat e turizmit dhe për nevojën për përmirësim të ofertës turistike shqiptare për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të rigjallëruar këtë sektor që ka qenë ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.


