Shpërthimi i sëmundjes së brucelozës ekspozon dështimet në mbrojtjen veterinare të Dibrës

Bruçeloza përhapet në Dibër, ndërsa shteti hesht përballë krizës së importit dhe mungesës së menaxhimit.

Një valë e re infeksioni ka përfshirë bagëtitë në zonat malore të Dibrës, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve dhe duke shfaqur në mënyrë tronditëse papërgjegjshmërinë e autoriteteve përballë kësaj krize. Fermerët ndihen të braktisur, ndërsa importet e pakontrolluara nga Maqedonia e Veriut vetëm sa përkeqësojnë situatën.

Rastet e para të konfirmuara me bruçelozë në njësitë Kastriot dhe Muhurr janë sinjal i një krize më të gjerë, që mbetet e pamenaxhuar. Prej muajsh, sëmundja është përhapur në Martanesh të Bulqizës, por asnjë masë serioze nuk është ndërmarrë nga autoritetet qendrore apo vendore.

“Jemi lënë në mëshirë të fatit,” deklaron Dilaver Rusi, banor i fshatit Mustafaj. Ai thotë se analizat janë marrë, por askush nuk u ka dhënë informacion për kompensimin e bagëtive që mund të therën.

Fermerë të tjerë përmendin mungesën totale të vaksinimit, e cila ka lënë tufat të pambrojtura. Dilaver Zuna, gjithashtu nga Kastrioti, thotë se askush nuk ka ardhur më pas marrjes së mostrave të gjakut. Situata, sipas tij, është rezultat i dështimit të autoriteteve veterinare për të parandaluar sëmundjet.

Veterinerët lokalë nuk e mohojnë problemin. Ata flasin për mungesë fondesh për analiza laboratorike, por edhe për frikën e fermerëve për të raportuar rastet, ngaqë kompensimi është thuajse inekzistent.

Bashkia Dibër nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar, ndërsa kërkesa për informacion ka mbetur pa përgjigje. Burime të brendshme pranojnë krizën, por e heqin përgjegjësinë duke thënë se shërbimi veterinar i përket qeverisë qendrore. Në vend që të veprojë, shteti zgjedh të heshtë.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, përpiqet të ulë alarmin publik, duke i cilësuar rastet të izoluara. Por terreni tregon të kundërtën: frikë mes banorëve, pasiguri për të ardhmen dhe mungesë e plotë transparence.

Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Dibrës janë trajtuar 12 persona me simptoma të sëmundjes. Mjekët flasin për simptoma të shumta dhe të rrezikshme: ethe, dhimbje muskujsh, lodhje, humbje oreksi dhe të vjella. Nëse nuk diagnostikohet me kohë, bruçeloza mund të shkaktojë komplikacione serioze.

Në terren janë groposur dhe asgjësuar mbi 630 krerë bagëti. Raste të reja janë shfaqur në më shumë se dhjetë fshatra, ndërsa plani i vaksinimit ende nuk është zbatuar për gjedhët, për shkak të mungesës së vaksinave.

Ekspertë si veterineri në pension Zeqir Cami paralajmërojnë se Dibra mbetet e ekspozuar nga importet e mishit dhe produkteve të bulmetit nga Maqedonia e Veriut, një vend ku sëmundja është ende e pranishme dhe e pakontrolluar.

Blegtori Bari Kika nga Bulqiza kujton se para disa vitesh bruçeloza i përfshiu të gjithë tufën dhe kaloi edhe te familjarët. Të gjithë përfunduan në spital, por asokohe nuk u mor asnjë masë parandaluese. Edhe këtë vit, askush nuk e ka vaksinuar tufën e tij.

Veterineri Bardhyl Brata thekson se fermerët kanë humbur besimin dhe nuk raportojnë më asnjë rast. Kur analizat kryhen, mungesa e fondeve pengon reagimin. Sëmundjet përhapen, ndërsa shteti mbetet spektator.

Avokati dhe ish-kandidati për deputet Ismail Uka akuzon qeverinë për degradimin e plotë të sektorit të bujqësisë dhe veterinës. Ai paralajmëron se pa kompensim dhe pa vaksinim, situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe të kthehet në një epidemi njerëzore.

Në vend që të mbrojë jetesën e fermerëve dhe shëndetin publik, shteti po lejon importet e rrezikshme dhe po shpërfill një krizë që mund të ketë pasoja të rënda në të ardhmen. Dibra, edhe një herë, është lënë vetëm.

Ndaj Postimin: