Dy avionë zjarrfikës nga Greqia po ndërhyjnë për të shuar flakët e zjarrit që përhapet me shpejtësi dhe kërcënon banorët pranë fshatit Kaninë.
Mesditën e sotme, një vatër e fuqishme zjarri shpërtheu në malin e Shashicës, në rrethin e Vlorës. Terreni i vështirë dhe i thepisur e bëri thuajse të pamundur ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse nga toka. Për këtë arsye, autoritetet kërkuan ndihmë ajrore për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Dy avionë zjarrfikës, të ardhur nga Greqia, po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji mbi zonën e përfshirë nga zjarri. Falë këtyre ndërhyrjeve ajrore, po tentohen të frenohen ritmet e shpejta të përhapjes së flakëve që rrezikojnë fshatrat përreth.
Banorët e zonës dhe forcat e emergjencës ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë me vëmendje situatën. Pavarësisht përpjekjeve, rreziku mbetet i lartë përfshirja e zonave të banuara, veçanërisht në afërsi të Kaninës.
Strukturat lokale po punojnë pa ndërprerje për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, duke u përballur me kushtet e vështira të terrenit dhe temperaturat e larta që favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Vlerësohet se ndërhyrja e avionëve zjarrfikës ka qenë kyçe për të parandaluar dëme më të mëdha, ndërsa operacioni vazhdon intensivisht në kërkim të kontrollit të plotë të zjarrit.


