Sam Altman paralajmëron mungesën e konfidencialitetit ligjor në bisedat me ChatGPT për terapi

Përdoruesit e ChatGPT duhet të jenë të kujdesshëm, pasi nuk ekziston asnjë mbrojtje ligjore për bisedat private me këtë AI, ndryshe nga marrëdhënia me terapistët apo avokatët.

Kreu i OpenAI, Sam Altman, ka theksuar se teknologjia e inteligjencës artificiale nuk ka arritur ende të sigurojë privatësi ligjore për bisedat që përdoruesit zhvillojnë nëpërmjet ChatGPT, sidomos kur ato kanë natyrë emocionale apo terapeutike. Ai theksoi se, ndryshe nga një terapist apo doktor me të cilin ekziston konfidencialitet ligjor, kur flitet me ChatGPT nuk ka një mekanizëm të tillë mbrojtjeje.

Në një episod të fundit të podcastit “This Past Weekend w/ Theo Von”, Altman shpjegoi se mungesa e kuadrit ligjor për AI krijon hapësirë për shqetësime lidhur me privatësinë e përdoruesve. “Shumë njerëz, sidomos të rinjtë, e përdorin ChatGPT-në si terapist apo këshilltar jete,” tha ai. “Por bisedat me AI nuk mbrohen ligjërisht siç mbrohen ato me një mjek apo avokat.”

Kjo situatë mund të sjellë pasoja serioze në rast të një procesi ligjor, pasi OpenAI mund të detyrohet të dorëzojë bisedat e përdoruesve si provë. “Është shumë problematike. Ne duhet të kemi të njëjtën lloj privatësie për bisedat me AI sikur me një terapist,” shtoi Altman, duke shtuar se kjo çështje nuk ishte e diskutuar një vit më parë.

OpenAI po përballet me sfida ligjore, përfshirë një urdhër gjykate që kërkon ruajtjen e bisedave të qindra miliona përdoruesve të ChatGPT në mbarë botën, përjashtuar klientët Enterprise. Kompania e ka quajtur këtë kërkesë “tepricë” dhe ka nisur apelimin për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Altman-i vuri në dukje se ndërsa kompanitë teknologjike shpesh detyrohen të japin të dhëna për hetime kriminale, shqetësimet rriten me kufizimet ligjore që prekin liritë personale. Ai përmendi ndryshimet pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA për Roe v. Wade, që nxiti përdoruesit të kalojnë në aplikacione më private për gjurmimin e ciklit menstrual, duke përdorur mjete të koduara si Apple Health.

Duke folur me moderatorin Theo Von, i cili shprehu rezervat e tij ndaj përdorimit të ChatGPT për shkak të shqetësimeve për privatësinë, Altman u shpreh: “Është e kuptueshme të kërkosh qartësi ligjore përpara se të përdorësh shumë AI-në.”

OpenAI po përpiqet të krijojë një ekuilibër mes inovacionit teknologjik dhe nevojës për mbrojtje të privatësisë së përdoruesve, por sfidat ligjore dhe mungesa e rregulloreve specifike mbeten pengesa kryesore për një përdorim më të sigurt të inteligjencës artificiale në fushën e shëndetit mendor dhe mbështetjes emocionale.

Ndaj Postimin: