Goditja e rradhës e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar në Elbasan dhe Tiranë, arrestohen vëllezërit Hoxhosmani

SPAK urdhëroi ndalimin e Artur dhe Ervin Hoxhosmanit, ndërsa një akuzë e re u shtua për Plarent Dervishajn dhe të penduarin Erion Alibej

Një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar u shënua nga SPAK-u, që në bashkëpunim me Policinë e Shtetit vuri në pranga Artur dhe Ervin Hoxhosmanin, së bashku me Ermir Ndrejajn. Operacioni i zhvilluar në Elbasan dhe Tiranë çoi gjithashtu në ndalimin e një personi tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Në vijim të hetimeve të zgjeruara, SPAK i komunikoi një akuzë të re Plarent Dervishajt, i cili ndodhet në burg dhe po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. Së bashku me të, një tjetër njoftim për akuzë iu dorëzua edhe Erion Alibejt, tashmë i njohur si një nga të penduarit e drejtësisë.

Alibej ka rrëfyer dhjetëra ngjarje kriminale, duke përfshirë raste të trafikimit të drogës dhe vrasje me pagesë. Nëpërmjet dëshmive të tij dhe përgjimeve të sistemit të komunikimit Sky ECC, autoritetet kanë çmontuar një tjetër pjesë të rrjetit kriminal ku ai ka qenë i përfshirë.

Burimet raportojnë për sekuestrimin e një sërë pasurish luksoze gjatë operacionit, përfshirë ora me vlerë të lartë, bizhuteri dhe automjete të shtrenjta. Në total, janë ndaluar shtatë persona, katër prej tyre të arrestuar gjatë ditës së fundit.

Njëri nga të dyshuarit ndodhet jashtë vendit dhe është shpallur zyrtarisht në kërkim. SPAK-u nuk ka publikuar emrin, por hetimet për këtë rast po zgjerohen në bashkëpunim me autoritetet e huaja për ekstradimin e mundshëm.

Kjo ndërhyrje e radhës e Prokurorisë së Posaçme forcon më tej sinjalin se drejtësia po vepron kundër grupeve të strukturuara kriminale që kanë vepruar për vite me radhë në Shqipëri pa u prekur.

Ndaj Postimin: