Vendimi për të bllokuar urën e vjetër të Milotit ka paralizuar qarkullimin në Lezhë-Milot dhe ka krijuar radhë kilometrike trafiku
Mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat, në afërsi të Milotit, ka sjellë pasoja të rënda për qarkullimin rrugor, pikërisht në periudhën më të ngarkuar të sezonit turistik. Që prej dy ditësh, lëvizja e automjeteve në aksin Lezhë-Milot është ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa në superstradë janë krijuar bllokime të gjata, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Qytetarët po përballen me vonesa të gjata në udhëtimet drejt veriut të vendit dhe kthim, duke humbur orë të tëra në trafik, veçanërisht në kohë pushimesh familjare dhe turistike. Ura, e cila shërbente si alternativë për të shmangur ngarkesën në superstradë, është bllokuar papritur, pa njoftim paraprak dhe pa ofruar zgjidhje alternative të pranueshme.
Ekspertët e sigurisë rrugore e kanë cilësuar këtë vendim si absurd dhe të papërgjegjshëm. Sipas tyre, ndërhyrjet në urë mund të planifikoheshin jashtë sezonit turistik, për të mos ndikuar negativisht në fluksin e lartë të udhëtarëve që shkojnë drejt plazheve ose zonave turistike të veriut.
Sipas të dhënave të siguruara, kjo urë mbulonte deri në 50% të lëvizjes së mjeteve gjatë muajve të verës, duke shërbyer si rrugë lehtësuese për qarkullimin. Mbyllja e saj, në një moment kur fluksi është maksimal, ka shkaktuar rrëmujë në qarkullim dhe rritje të ndjeshme të kohës së udhëtimit.
Për më tepër, mungesa e sinjalizimit të qartë dhe e koordinimit mes institucioneve rrugore ka shtuar pakënaqësinë mes drejtuesve të mjeteve. Udhëtarët shprehen të irrituar që vendimet e autoriteteve merren pa u menduar për pasojat në terren.
Kritikët theksojnë se kjo situatë reflekton mungesën e një plani serioz për menaxhimin e infrastrukturës gjatë sezonit turistik. Ata kërkojnë që autoritetet të reagojnë urgjentisht dhe të ofrojnë një rrugë alternative funksionale, për të shmangur kolapsin në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë kyçe të vendit.


