Denis Bajri do të qëndrojë në burg pasi GJKKO konfirmoi masën e arrestit për vrasje me paramendim dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Denis Bajrin, i cili u ekstradua nga Dubai më 23 korrik. Ai u ndalua pas një kërkimi ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ndërsa arrestimi i tij ndodhi më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Bajrin për përfshirje në një vrasje të ndodhur në gusht 2020 në Vaun e Dejës. Viktima, Gjin Boriçi (i njohur edhe si Ndoji), u qëllua për vdekje në një atentat që dyshohet të jetë organizuar nga rrjete kriminale të lidhura me tregun e lojërave të fatit.
Hetimet e SPAK-ut kanë nxjerrë në dritë biseda të përgjuara, të cilat përputhen me detaje të momentit të ekzekutimit dhe implikojnë drejtpërdrejt Bajrin si pjesë aktive në këtë ngjarje. Provat janë konsideruar të mjaftueshme për të justifikuar mbajtjen e tij në paraburgim.
Autoritetet dyshojnë se vrasja është urdhëruar nga Ervis Martinaj, ish-figura kryesore në botën e lojërave të fatit, me qëllim eliminimin e konkurrencës së drejtpërdrejtë. Ky pistë hetimi ka ndihmuar në shtrirjen e mëtejshme të operacionit “Metamorfoza”.
Vendimi i gjykatës konsiderohet një hap i rëndësishëm në ndjekjen penale të figurave të lidhura me krimin e organizuar dhe tregun ilegal të lojërave të fatit, një sektor ku përplasjet mes bandave kanë prodhuar dhunë të përsëritur.
Me konfirmimin e masës së arrestit, procesi gjyqësor ndaj Denis Bajrit pritet të zhvillohet në javët në vijim, ndërsa organet e drejtësisë theksojnë se do të thellojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.


