KLP shmang mbrojtjen e prokurores Gjeli pas sulmit nga Edi Rama

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shmang kërkesën e prokurores Elsa Gjeli për mbrojtje nga sulmet e kryeministrit Edi Rama, duke mos e futur në rendin e ditës për dy mbledhje radhazi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shmangur trajtimin e kërkesës së prokurores Elsa Gjeli, e cila kërkonte mbrojtje nga sulmet publike të kryeministrit Edi Rama. Kërkesa e depozituar më 11 korrik nuk u diskutua as në mbledhjen e asaj dite dhe as më 16 korrik, megjithëse ishte parashikuar në axhendë.

Ende më shqetësues është fakti se edhe në mbledhjen e planifikuar për 25 korrik, çështja e Gjeli nuk është përfshirë në rendin e ditës. Në vend që të mbrojë magjistratët nga ndërhyrjet politike, KLP ka zgjedhur të heshtë dhe të shmangë çdo reagim institucional.

Pas kërkesës së prokurores, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja reagoi menjëherë duke kërkuar nisjen e një procedimi disiplinor ndaj saj pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Kjo manovër u përdor më pas nga KLP për të justifikuar mosveprimin, duke thënë se nuk mund të mbajë qëndrim ndaj një çështjeje që mund të përfundojë në procedim disiplinor.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, në një deklaratë për BIRN-in, u shpreh se nëse do të mbanin qëndrim tani, do të përjashtoheshin nga shqyrtimi i mundshëm në të ardhmen. Megjithatë, kjo logjikë bie poshtë në raport me raste të ngjashme ku KLP-ja ka reaguar publikisht dhe ka dënuar presionin politik ndaj prokurorëve.

Ndërkohë, prokurorja Gjeli refuzoi të komentojë për qëndrimin e KLP-së, duke u mjaftuar me një heshtje që ngjan më shumë me zhgënjim institucional. Ajo u sulmua nga kryeministri Rama më 7 korrik, pas vendimit të saj për mosfillim hetimi penal mbi disa ndërtime në Theth, të cilat Rama i quajti vepër të një personi “të parritshëm nga ligji”.

Prokuroria e Shkodrës reagoi ashpër ndaj sulmit, duke theksuar se ishte Policia dhe Bashkia e Shkodrës që e kishin referuar rastin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale. Pavarësisht kësaj, presioni ndaj prokurores u rrit, ndërsa deklaratat e Ramës nxitën një linçim të gjerë mediatik ndaj saj.

Elsa Gjeli dorëzoi një kërkesë zyrtare në KLP, ku akuzonte kryeministrin për fyerje dhe cënim të integritetit të saj profesional. Ajo e cilësoi deklaratën e Ramës si ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë dhe një përpjekje për të delegjitimuar figurën e një magjistrati. Megjithatë, KLP vijon të heshtë.

Ndaj Postimin: