Nën qiellin e verës, Kuçova ndan emocionet e “Open Cinema” për tre netë rresht me filma, muzikë e artistë të njohur, duke rikthyer kinemanë verore në zemër të qytetit.
Në qytetin e naftëtarëve, “Open Cinema” ka ndezur tri netët e fundit të korrikut me një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion. Më 22, 23 dhe 24 korrik, ky aktivitet tradicional veror riktheu kinemanë e dikurshme në parkun kryesor të Kuçovës, duke mbledhur qytetarë nga çdo cep. Në edicionin e nëntë, projekti që njihet si “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri” sjell filma të njohur, muzikë live dhe prezencën e artistëve të mëdhenj që i japin jetë mbrëmjeve magjike.
Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat, ishte pjesë aktive e eventit, ndërsa drejtoria e Kulturës në bashkinë e Kuçovës, nën kujdesin e Klodiana Mistos, ka bërë të mundur organizimin e këtyre netëve festive që lidhin brezat dhe ruajnë trashëgiminë kulturore. Në ambientet e hapura, përveç filmave për fëmijë dhe të rritur, muzikë sollën artistë si Irma Libohova dhe prezantuesja simpatike Silvana Brace, duke dhënë një ngjyrim pozitiv dhe të gëzuar për qytetin.
Mbrëmja e parë u shënua nga praninë e regjisorit të njohur Esat Musliu dhe aktorit të dashur të publikut, Ndriçim Xhepa, që shtuan vlerë artistike kësaj ngjarjeje. Slogani i këtij viti, “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, synon të krijojë një urë mes brezave dhe të mbrojë pasurinë e pasur filmike shqiptare.
Përveç kinemasë, mbrëmjet shoqërohen me muzikë live ku violinistja Aiola Leska interpreton kolonat zanore më të bukura të kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për të pranishmit.
Fëmijët gëzuan hapësirën e tyre të veçantë, me animacione shqiptare, të cilat u shfaqën në ekranin e madh, duke i dhënë ngjyra dhe argëtim mbrëmjeve të “Open Cinema”.
Këto momente u kapën nga gazetari Ndriçim Gjoshi, i cili vëzhgoi se si tingujt e muzikës dhe dritat e filmave kanë mbetur të gdhendur në kujtesën e banorëve të Kuçovës. Ky aktivitet është bërë një pjesë thelbësore për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për të mbajtur gjallë lidhjen ndër breza në qytetin që po ringrihet me vlera të reja kulturore dhe historike.


