Fondet në ulje dhe kriza që po fundos sektorin e bujqësisë në Shqipëri

Bujqësia shqiptare përballet me krizë të thellë ndërsa financimet shtetërore për këtë sektor po bien ndjeshëm në raport me buxhetin total dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo situatë rrezikon sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në vend.

Sektori i bujqësisë në Shqipëri hyn në vitin e pestë të krizës së thellë në vitin 2025, duke shënuar rënie të prodhimit dhe punësimit, si dhe pasoja negative në zinxhirin e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit. Të dhënat nga Ministria e Financave në dokumentin e buxhetit afatmesëm 2025-2027 nxjerrin në pah një panoramë shqetësuese për zhvillimin rural dhe bujqësinë në vend.

Edhe pse ky sektor mbetet një prej shtyllave kryesore të ekonomisë shqiptare, si burim i punësimit dhe ushqimit, financimet buxhetore për bujqësinë nuk pasqyrojnë këtë rëndësi. Fondet për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikohen të rriten paksa në vlerë absolute, nga 14.1 miliardë lekë në vitin 2024 në 15.5 miliardë lekë në 2027, por pjesa e tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto bie nga 0.58% në 0.54%. Po ashtu, në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore, fondet për këtë sektor do të ulen nga 1.92% në 1.75% në periudhën 2024-2027.

Kjo ulje përqindjeje e financimeve bëhet shqetësuese, sidomos kur bujqësia shqiptare përballet me sfida serioze si ndryshimet klimatike, mungesat në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, si dhe nevojën për përmirësime të mëdha në kapacitetet prodhuese. Ndërkohë, vendet e rajonit po forcojnë investimet në këtë sektor, duke e parë si një bazë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social.

Nënfinancimi i vazhdueshëm po thellon krizën në bujqësi dhe po kufizon mundësitë për zhvillim rural të qëndrueshëm. Kjo situatë nxit emigrimin nga zonat rurale dhe rrezikon sigurinë ushqimore të vendit. Aktualisht, bujqësia, pyjet dhe peshkimi kontribuojnë me 15.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ofrojnë punësim për mbi 32% të forcës punëtore, përqindje që është edhe më e lartë në zonat rurale.

Rënia e prodhimit vendas krijon varësi të rritur ndaj importeve të ushqimeve, duke rritur deficitin tregtar dhe duke ekspozuar ekonominë ndaj luhatjeve të çmimeve globale. Në vitin 2024, Eurostat evidentoi për herë të parë se çmimet mesatare të ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian, një shenjë alarmante që paralajmëron rritje të mëtejshme të kostove për konsumatorët shqiptarë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033