Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive dhe njëra ndodhet nën monitorim nga autoritetet. Zjarret janë shfaqur në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Korçë, Gjirokastër, Fier, Tiranë, Kukës e shumë bashki të tjera.
Në Parkun Kombëtar Lurë, në zonën e njohur si “Liqeni i Luleve” pranë bashkisë Dibër, zjarri po vazhdon në tri vatra me intensitet të ulët gjatë natës. Këto vatra janë aktive pranë fshatit Gurë Lurë, Liqenit të Zi dhe Fushës së Pelave. Situata në fshatin Ulëz, bashkia Mat, paraqitet shumë e vështirë, pasi flakët po përhapen drejt pyjeve dhe terreni i thyer po pengon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Në njësinë administrative Derjan, po ashtu në bashkinë Mat, vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në zonën e “Përroit të Zi”, ku shtrihet një sipërfaqe me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe i vështirë ka bërë të pamundur ndërhyrjen e lehtë me mjetet zjarrfikëse. Në këtë terren u angazhuan 40 forca lokale dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe një avion Canadair nga Italia.
Në zonën e Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat të bashkisë Vlorë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha në shkurre, kullotë dhe pyje me pisha. Era ka përhapur flakët edhe në kurorat e pishës, duke vështirësuar shumë situatën. Operacioni vijon me 32 forca zjarrfikëse, të mbështetura nga 80 ushtarë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në qarkun e Lezhës, zjarri në zonën pranë tunelit të Shkopetit në rrugën Shkopet-Burrel është nën kontroll, ndërsa janë shmangur rreziqet për banesat. Në bashkinë Devoll, pranë fshatit Vernik, dhe në fshatin Dishnicë të Korçës po vijojnë përpjekjet për fikjen e flakëve në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri në këtë zonë përhapet drejt verilindjes, ndihmuar nga era dhe bimësia e dendur.
Në fshatin Pustec, zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve vazhdon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse punojnë për izolimin dhe fikjen përfundimtare. Në fshatin Kosinë të bashkisë Përmet, po punohet për shuarjen e zjarrit në pyje dhe shkurre. Në fshatin Mamëz të bashkisë Kukës, zjarri rrezikon banesat e zonës, ndërsa 100 forca ushtarake janë angazhuar në operacion për fikjen e tij.
Një vatër tjetër mbetet nën monitorim në “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan e bashkisë Bulqizë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Strikçan. Forcat lokale vijojnë ndjekjen e situatës me mjete zjarrfikëse dhe punonjës bashkiakë.
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 17 hektarë bimësi e pyjore. Në operacionet e shuarjes kanë marrë pjesë 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale, përfshirë 190 forca të Forcave të Armatosura me 19 mjete, 2 helikopterë dhe avionë Canadair nga Greqia dhe Italia. Sot vazhdojnë operacionet me 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe mjete zjarrfikëse.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, nuk priten reshje në territor dhe rreziku i zjarreve është “I LARTË” në shumicën e qarqeve, përveç Shkodrës dhe Durrësit ku rreziku është “I MODERUAR”. Mbrojtja civile është në terren pa ndërprerje dhe i bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe raportim të menjëhershëm të çdo shenje zjarri pranë autoriteteve.