Granit Xhaka mbetet pjesë kyçe e Bayer Leverkusenit, por një ofertë bindëse mund të ndryshojë skenarin e merkatos së tij.
Në javët e fundit, emri i mesfushorit shqiptar është përmendur me interes në ambientet e Serie A, ku disa klube të mëdha e kanë ndjekur me vëmendje.
Megjithatë, drejtuesit e Bayer Leverkusen nuk kanë lëvizur nga pozicioni i tyre fillestar. Fernando Carro, drejtori ekzekutiv i klubit gjerman, ka deklaruar qartë se Xhaka mbetet një figurë qendrore për projektin sportiv.
“Graniti është shumë i rëndësishëm për ne,” tha Carro në një intervistë për Welt. “Ai luan një rol kyç, brenda dhe jashtë fushës, si lider dhe lojtar me eksperiencë.”
Sipas tij, mesfushori ka edhe tre vite kontratë dhe klubi synon ta mbajë. Leverkuseni nuk e sheh të nevojshme shitjen e tij në këtë fazë të merkatos.
Gjithsesi, Carro la një dritare të hapur: nëse mbërrin një ofertë që është e favorshme për të dyja palët, atëherë klubi është i gatshëm të diskutojë mundësinë e një largimi.
Për momentin, Leverkusen po përgatitet për sezonin e ri me Xhakën në qendër të projektit, ndërsa merkatoja verore mbetet gjithmonë e paparashikueshme.