Paga 500 euro dhe strehim për punëtorët afrikanë në Shqipëri

Numri i punonjësve të huaj në Shqipëri po rritet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe zhvillimit të turizmit në vend. Paga mesatare për këta punonjës është 500 euro dhe përfshin strehimin dhe ushqimin.

Gjatë sezonit turistik të këtij viti, Tirana dhe qytete të tjera turistike shqiptare po shohin një rritje të ndjeshme të numrit të punonjësve afrikanë, sidomos në sektorët e pastrimit dhe shërbimit në bare e restorante. Ekspertët e burimeve njerëzore vlerësojnë se kjo tendencë do të vazhdojë për shkak të kërkesës në rritje për punëtorë dhe mungesës së fuqisë punëtore vendase.

Fatima, 28 vjeçe nga Afrika e Jugut, është një prej punonjëseve të reja që punon si pastruese në një bar-restorant në qendër të Tiranës. Ajo tregon se arsyeja kryesore e emigrimit drejt Shqipërisë është papunësia në vendin e saj. “Ndihem mirë këtu dhe dua të vazhdoj punën për të ndihmuar familjen time,” thotë ajo.

Menaxheri i lokalit, Arturi, shpjegon se punësimi i punonjësve të huaj është vendosur si zgjidhje për mungesën e stafit vendas, sidomos gjatë verës kur shumë të rinj largohen për punë sezonale. Megjithatë, ai shpreh pakënaqësi për performancën e tyre, duke e parë si një sfidë të re në menaxhimin e stafit dhe cilësinë e shërbimit.

Në qytetin e Pogradecit, një kompani private e pastrimit ka punësuar tri gra nga Ghana, të cilat paguhen me 370 euro neto në muaj dhe përfitojnë akomodim dhe ushqim falas. Ky fenomen reflekton vështirësitë për gjetjen e punëtorëve vendas në sektorët me pagesa të ulëta dhe punë të vështirë.

Edhe bizneset e call center-ve po konsiderojnë punësimin e të huajve nga Afrika, por sfida mbetet njohja e gjuhëve të huaja, sidomos italishtes, që kërkohet në këtë industri. Lorenc Goga, administrator i një prej këtyre kompanive, po studion mundësitë për rekrutime të huaja, por procesi është kompleks.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2023, numri i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 18% në krahasim me vitin 2022, duke arritur në 21,460 persona. Në të njëjtin vit, punonjësit e huaj me leje për arsye punësimi u rritën rreth 31%, duke shkuar në 10,360 persona.

Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, tregon se paga mesatare neto për punonjësit e huaj në Shqipëri varion nga 500 deri në 520 euro në muaj, përfshirë akomodimin dhe ushqimin. Në rajon, Serbia ofron paga më të larta, deri në 750 euro, për shkak të rekrutimeve më të organizuara dhe sistematizuara.

Ndaj Postimin: