Zjarri në kodrat e Belishovës drejt shuarjes pas orësh përpjekjesh

Forcat zjarrfikëse dhe ushtarake punuan gjithë ditën në terrenin e thyer për të shuar flakët që rrezikuan zonën kodrinore të Belishovës.

Pas orëve të gjata përballjeje me zjarrin, vatrat aktive në kodrat e Belishovës janë drejt neutralizimit të plotë. Operacioni nisi që në orët e para të mëngjesit, kur rreth orës 05:30, në ndihmë u angazhuan 30 trupa të ushtrisë.

Përpjekjet për shuarjen e flakëve kanë zgjatur deri në orën 19:00, ndërsa në terren kanë punuar pa ndërprerje forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, Fierit, ekipet e Albpetrolit, Forcat e Armatosura dhe Regjimenti i këmbësorisë së Jugut.

Për shkak të terrenit të pjerrët dhe me bimësi të dendur, ndërhyrja ka qenë e vështirë, por bashkërendimi i strukturave ka shmangur përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera pyjore.

Zyrtarët në vendngjarje kanë theksuar se ndërhyrja e hershme dhe koordinimi mes ekipeve shmangën një katastrofë më të madhe në këtë zonë të mbrojtur.

Edhe pse vatrat janë në shuarje, situata mbetet nën vëzhgim, pasi erërat e mbrëmjes mund të riaktivizojnë ndonjë vatër të fshehur.

Për këtë arsye, përgjatë natës janë vendosur grupe të gatshme që do të patrullojnë zonën për të ndërhyrë në rast se flakët rikthehen.

Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re që mund të shfaqet.

Ndaj Postimin: