Policia zbulon në Vorë një rrjet manipulimi të datave të skadencës, ku ushqimet e rrezikshme kthehen sërish në tregun shqiptar.
Policia e Shtetit njoftoi se të shtunën goditi një aktivitet të paligjshëm në fabrikën “Master AL” në Vorë. Sipas QKB, bashkëpronari kryesor i subjektit është Skifter Tagani.
Hetimet zbuluan se aty grumbulloheshin sasi të mëdha ushqimesh të skaduara. Furnizimi vinte nga tregjet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe nga importet.
Punëtorët fshinin datat reale të skadencës, vendosnin etiketa të reja dhe i rikthenin produktet në dyqane, duke rrezikuar shëndetin publik.
Gjatë kontrollit policia sekuestroi dhjetëra kilogramë produkte të skaduara që nga janari. Mes tyre ishin mish i përpunuar, ëmbëlsira dhe produkte qumështi.
Oficerët arrestuan në flagrancë administratorin Florenc Domi dhe magazinierin Agim Domi, ndërsa bashkëpronari Skifter Tagani u procedua vetëm penalisht.
Burimet hetimore thanë se vendimi për masë më të butë ndaj Taganit lidhet me rolin e tij financiar. Verifikimet vazhdojnë.
Tagani është gjithashtu pronar i “ANTER” sh.p.k., kompani që prodhon biskota dhe çokollata. Ky fakt rrit shqetësimin për sigurinë ushqimore në treg.