Qytetarët që frekuentojnë burimet e Dimalit për kurim natyror shprehin zhgënjimin për braktisjen dhe mungesën totale të ndërhyrjeve nga Bashkia.
Pamjet nga televizioni “Apollon” tregojnë gjendjen aktuale të Llixhave të Dimalit, një pasuri natyrore me vlera të njohura kurative që prej fillimit të shekullit XX. Megjithatë, kjo zonë sot përballet me mungesë uji dhe neglizhencë institucionale.
Llixhat ndodhen pranë Shpiragut dhe janë të njohura për përmbajtjen e lartë të squfurit. Vizitorët vijnë kryesisht nga Berati, Kuçova dhe zona përreth, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur përdoren për të lehtësuar dhimbjet reumatizmale dhe shqetësime të tjera shëndetësore, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Për shkak të kushteve gjeologjike, llixhat e Dimalit kanë ujë të ftohtë, duke i veçuar nga shumë burime të tjera termale në vend. Megjithatë, në vitet e fundit, burimi kryesor ka nisur të thahet dhe uji është gjithnjë e më i pakët.
Qytetarët shprehen të shqetësuar nga mungesa e ndërhyrjeve për të shpëtuar këto burime. Ata theksojnë se pranë llixhave ekzistojnë edhe dy burime të tjera të paprekura, të cilat mund të aktivizoheshin me pak investim.
Banorët kritikojnë Bashkinë Dimal dhe institucionet përkatëse që nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të ruajtur dhe zhvilluar këtë pasuri natyrore. Në vend të promovimit dhe përkujdesjes, zona po shkon drejt harresës totale.
Përveç vetive të ujit me squfur, llixhat krijojnë një baltë të zezë që sipas përdoruesve ka efekt shërues për lëkurën dhe nyjat. Por pa asnjë mbështetje, ky potencial rrezikon të zhduket përfundimisht.
Për të ruajtur këtë trashëgimi natyrore dhe funksionin e saj shëndetësor, qytetarët i bëjnë thirrje institucioneve vendore të ndërhyjnë me projekte konkrete, përpara se burimet të shterojnë plotësisht.