Pjesëtarë të Gardës Kombëtare të New Jersey-t dhe Forcave Ajrore Shqiptare zhvilluan këtë javë një stërvitje intensive për misione kërkim-shpëtimi.
Ambasada e SHBA në Tiranë publikoi sot pamje nga bashkëpunimi mes mirëmbajtësve amerikanë të avionëve dhe ekuipazhit shqiptar. Qëllimi kryesor i stërvitjes ishte përgatitja për ndërhyrje emergjente, me fokus te operacionet e shpëtimit ajror.
Helikopteri Black Hawk, i përdorur me sukses pas Uraganit Sandy në vitin 2012, u vu sërish në funksion gjatë trajnimeve në Shqipëri. Ambasada theksoi se i njëjti model dhe ekip janë pjesë e këtyre misioneve stërvitore.
“Po përdorin të njëjtin Black Hawk që shpëtoi jetë pas Sandy – dhe të njëjtin ekip teknik,” shkruan përfaqësia diplomatike amerikane.
Sipas ambasadës, këto trajnime janë thelbësore për të rritur aftësinë reagimi ndaj katastrofave natyrore dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e vendeve aleate.
Operacionet e këtij formati synojnë ndërtimin e besimit dhe përmirësimin e bashkëveprimit ndërmjet ekipeve ajrore të NATO-s.
Shkëmbimi i eksperiencave mes pilotëve dhe teknikëve nga SHBA dhe Shqipëria shihet si një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë kolektive të rajonit.
Ambasada rikonfirmoi angazhimin amerikan për të forcuar partneritetin strategjik me Shqipërinë, përmes ushtrimeve të tilla praktike dhe konkrete.