Fieri në krye të prodhimit, por blegtoria shqiptare drejt shuarjes nga braktisja dhe paaftësia shtetërore

Shifrat e larta të prodhimit në Fier fshehin një realitet të hidhur: mungesën e ndihmës, tregjeve dhe vëmendjes për fermerët që mbajnë gjallë fshatin.

Blegtoria shqiptare, dikur themeli i ekonomisë rurale dhe i ushqimit vendas, po përjeton një shkatërrim të ngadaltë. Pavarësisht potencialit dhe përkushtimit të fermerëve, sektori po mbytet nga mungesa e mbështetjes, politikat armiqësore dhe harresa institucionale.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, Fieri qëndron në krye të prodhimit të qumështit me afro 169 mijë tonë. Pas tij renditen Korça dhe Elbasani. Në jug, Vlora dhe Gjirokastra spikasin për prodhimin artizanal të kosit dhe djathit, veçanërisht nga dhitë dhe delet.

Por pas këtyre shifrave, fshihen realitete të dhimbshme. Fermerët që punojnë tokën dhe ushqejnë vendin janë të lënë në mëshirë të fatit. Kostot për ushqim blegtoral janë rritur ndjeshëm, tregjet janë të paarritshme dhe politikat tatimore i godasin edhe kur përpiqen të shesin prodhimet në rrugë.

Edhe për mishin, Fieri mban rekordin me mbi 26 mijë tonë në vit. Lezha dallohet për prodhimin e mishit të derrit, një sektor që kërkon standarde dhe kontroll, por në vend të ndihmës, përballet me penalizime dhe pengesa.

Sektori i vezëve dominohet nga Durrësi, me mbi 287 milionë kokrra në vit. Tirana e ndjek nga pas, por pularitë e mëdha po shtypin prodhuesit e vegjël. Këta të fundit, pa ndihmë, pa fonde dhe pa fuqi konkurruese, po zhduken nga tregu.

Edhe për mjaltin, Korça kryeson, e ndjekur nga Vlora dhe Elbasani. Por bletarët nuk kanë as sigurime, as garanci. Një vendim arbitrar nga qeveria mund t’ua shkatërrojë të gjithë mundin e viteve të tëra brenda një dite.

Ndërkohë që fermerët kërkojnë legalizim dhe mbështetje, shteti i trajton si kriminelë. Produktet e tyre sekustrohen, rrugët e tregtimit u mbyllen dhe jeta u bëhet e pamundur. Ky nuk është zhvillim rural – është eliminim sistematik i fshatit shqiptar.

Çdo fermer që dorëzohet, çdo familje që largohet nga toka, e varfëron më tej vendin. E ndërsa politikat zyrtare e lënë tokën pa punëtorë, Shqipëria mbetet pa bukë dhe pa të ardhme. Kjo nuk është thjesht krizë ekonomike – është krizë kombëtare.

Ndaj Postimin: