Pamje tronditëse nga ajri tregojnë ndotjen alarmante të plazhit të Darëzezës

Uji i errët, era e rëndë dhe shtresa të trashë në sipërfaqe zbulojnë ndotjen organike që po shkatërron bregun turistik në grykëderdhjen e Vjosës.

Pamje të reja ajrore, të shpërndara fillimisht si promovim nga deputetja e PS Antoneta Dhima, kanë shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në rrjet. Në vend të peizazheve të pastra dhe natyrës së virgjër, ato tregojnë një realitet të zymtë: ndotje të rëndë dhe ujëra të kontaminuara në plazhin e Darëzezës.

Zona ndodhet në grykëderdhjen e lumit Vjosa dhe kohët e fundit është prekur nga ndotje të dukshme që lidhen me derdhjen e mbetjeve organike dhe industriale. Kompania Albpetrol e ka justifikuar ndotjen me temperaturat e larta, por shkaqet reale janë shumë më të thella.

Ekspertët paralajmërojnë se situata është pasojë e eutrofikimit – një fenomen ku mbetjet bujqësore ose fekale të pasura me azot dhe fosfor nxisin rritjen masive të algave dhe mikroorganizmave. Këto organizma, kur dekompozohen, konsumojnë oksigjenin në ujë dhe lënë pas ndotje të dukshme, me ngjyrë dhe erë të rëndë.

Shkarkimet e ujërave të zeza dhe mungesa e infrastrukturës së kanalizimeve janë një tjetër faktor shqetësues. Mbetjet e papërpunuara që rrjedhin nga ferma apo ndërmarrje përfundojnë në det përmes kanaleve të hapura, duke ndotur rëndë zonën bregdetare.

Një tjetër problem i theksuar është mungesa e qarkullimit të ujit në zonat e cekëta. Për shkak të kushteve klimatike dhe valëve të dobëta, ndotja nuk shpërndahet, por qëndron në sipërfaqe duke krijuar një shtresë të dendur dhe toksike.

Specialistët theksojnë se ndotja organike është e zakonshme në laguna dhe zona të qeta si Darëzeza. Ajo shkaktohet nga grumbullimi i mbetjeve ushqimore, jashtëqitjeve njerëzore, plehrave organikë dhe bimësisë së kalbur që derdhen pa kontroll në ujë.

Dëmi që po i shkaktohet mjedisit dhe turizmit është i madh. Ndërhyrjet emergjente nga autoritetet janë të domosdoshme për të ndalur përkeqësimin dhe për të shpëtuar një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe turistike të bregdetit shqiptar.

Ndaj Postimin: