Rritje e rasteve me viroza në Fier gjatë ditëve të nxehta të korrikut

Urgjenca e Spitalit Rajonal Fier po përballet çdo ditë me dhjetëra qytetarë të prekur nga virozat e stinës për shkak të temperaturave të larta.

Në kulmin e vapës së korrikut, urgjenca e Spitalit Rajonal Fier është kthyer në një qendër mbipopulluar nga qytetarët që vuajnë nga virozat dhe problemet shëndetësore të lidhura me temperaturat ekstreme. Fluksi i pacientëve është rritur ndjeshëm, duke shtuar ngarkesën mbi sistemin shëndetësor lokal.

Zëvendësdrejtori i spitalit, Erblin Dollakaj, tregon se çdo ditë paraqiten nga 30 deri në 50 raste të reja me shenja virozash. Grupmosha më e prekur mbetet ajo mes 30 dhe 40 vjeç, ndërsa pacientët vijnë me simptoma të ndryshme, nga lodhje e përgjithshme deri në komplikacione serioze që kërkojnë mjekim të zgjatur.

Sipas Dollakajt, nuk kanë munguar rastet që kanë kërkuar trajtim të specializuar në repartet e spitalit, duke u mbajtur nën vëzhgim mjekësor për disa ditë. Këto komplikime lidhen kryesisht me moskujdesin në orët e nxehta të ditës dhe neglizhencën në ushqim dhe hidratim.

Mjeku apelon që qytetarët të shmangin daljet gjatë intervalit orar 11:00-17:00, kohë në të cilën rrezatimi diellor është më i lartë dhe rreziku për probleme shëndetësore rritet. Ai paralajmëron gjithashtu për rrezikun që sjell konsumimi i alkoolit në kushte të tilla klimaterike.

Një tjetër këshillë e rëndësishme ka të bëjë me konsumimin e sasive të mëdha të lëngjeve dhe ushqimeve të pasura me perime, për të ndihmuar organizmin të përballojë më mirë temperaturat.

Veç virozave, në rritje janë dhe rastet me alergji, të cilat përkeqësohen nga ajri i nxehtë dhe ndotja atmosferike. Stafi mjekësor në Fier thekson se duhet treguar kujdes maksimal nga të gjitha grupmoshat, pasi çdo neglizhencë mund të ketë pasoja serioze.

Ndaj Postimin: