Gjallesë misterioze në ujësjellës: alarm për cilësinë e ujit në Elbasan

Një banor nga Elbasani zbulon një krijesë të gjallë në ujin e çezmës, duke rikthyer frikën për mungesën e kontrollit në rrjetin e ujësjellësit.

Një rast tronditës është raportuar nga një qytetar në Elbasan, i cili, teksa po mbushte pishinën për fëmijën e tij, u përball me një pamje të pabesueshme: nga tuba e ujit doli një krijesë e panjohur, e gjallë dhe lëvizëse. Pamjet filmike tregojnë qartë një gjallesë të hollë, që reagon në kontakt me ujin.

Ky episod ka shkaktuar një shqetësim të madh për sigurinë e ujit të pijshëm, veçanërisht në një kohë kur institucionet reklamonin përmirësim të cilësisë pas shtimit të furnizimit me ujë. Prindërit ndihen të tradhtuar dhe të pambrojtur nga shërbimet publike që duhet të garantojnë standarde higjienike minimale.

Qytetari shprehu indinjatën e tij me tone të qarta përmes një mesazhi që i drejtohej mediave: “Po mbushja pishinën e fëmijës. Nga tuba më doli një krijesë e çuditshme. Ky është uji që ne pimë përditë. Thonë se është përmirësuar cilësia, por kjo është tallje me qytetarët.”

Pamjet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke ngritur një valë zemërimi dhe kërkesash për transparencë nga autoritetet përgjegjëse. Nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për ndotje në sistemin e ujësjellësit, por raste si ky nxjerrin në pah rrezikun real që fshihet pas mungesës së kontrollit.

Ky incident ka nxitur kërkesa të reja për analiza të pavarura të ujit që shpërndahet në qytete, si dhe për hetim të menjëhershëm nga institucionet shëndetësore dhe mjedisore.

Përballë këtij alarmi, heshtja e institucioneve është edhe më shqetësuese. Në vend që të japin shpjegime apo të ndërhyjnë me inspektime emergjente, autoritetet kanë zgjedhur të mos reagojnë fare, duke lënë qytetarët të përballen të vetëm me një krizë potenciale shëndetësore.

Rasti nga Elbasani është një tjetër dëshmi se garancia për ujë të pastër në Shqipëri është ende larg të qenit realitet. Mungesa e përgjegjësisë institucionale po kthehet në kërcënim të përditshëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Ndaj Postimin: