Parku Kombëtar i Vjosës po shndërrohet në një emër pa përmbajtje, ndërsa ndotja dhe abuzimi po e zhveshin nga vlerat e tij unike ekologjike.
Dy vjet pas shpalljes si Parku i parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë, Vjosa është përballë një kërcënimi serioz që mund ta kthejë këtë status historik në një mashtrim burokratik. Kompania ndërkombëtare Patagonia ngre alarmin për situatën alarmante që po përkeqësohet dita-ditës, duke theksuar se mungesa e veprimit nga autoritetet shqiptare po e çon këtë pasuri natyrore drejt shkatërrimit.
Qeveria shqiptare ndërkohë përpiqet të sigurojë një tjetër etiketë ndërkombëtare, atë të Rezervës së Biosferës nga UNESCO, por nëse presionet aktuale nuk ndalohen, çdo status do të mbetet vetëm në letra, ndërsa terreni do të jetë i braktisur nga mbrojtja e vërtetë. Një raport i fundit i paraqitur në mars 2025 nga organizatat mjedisore, përfshirë EcoAlbania, e detajon krizën dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Raporti identifikon pesë burime kryesore kërcënimi: derdhjet e naftës që ndosin ujërat, nxjerrja e paligjshme e bitumit që dëmton habitatet, përdorimi i pakontrolluar i ujit për bujqësi dhe industri, zhavorrnxjerrja që prish ekuilibrin hidrologjik, dhe ndotja nga mbeturinat e bashkive dhe ujërat e zeza. Këto ndërhyrje po dobësojnë strukturën natyrore të parkut dhe po rrezikojnë biodiversitetin e rrallë që ai mbart.
Për më tepër, rritja e turizmit të pakontrolluar dhe ndërhyrjet infrastrukturore pa studime mjedisore po përshpejtojnë degradimin e parkut. Në vend të një zhvillimi të qëndrueshëm që promovon natyrën, po ndërtohen struktura që e cënojnë atë drejtpërdrejt.
Patagonia i bën thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të ndërhyjnë menjëherë. Ndër veprimet e kërkuara janë monitorimi i nxjerrjes së resurseve, ndalimi i ndotjes, rehabilitimi i pikave të hedhjes së mbetjeve, dhe kontrolli i zhvillimit të turizmit pranë zonës së mbrojtur. Kompanitë duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmet që shkaktojnë, dhe bashkitë duhet të riorganizojnë sistemet e menaxhimit të mbetjeve.
Vjosa është një ndër lumenjtë e fundit të mëdhenj në Evropë me rrjedhë të lirë, habitat për mbi 1,100 specie, përfshirë 13 të rrezikuara globalisht. Shpallja si Park Kombëtar i Kategorisë II nga IUCN ka vlerë vetëm nëse ndjeket nga mbrojtje reale dhe efektive.
“Ky park është një fitore në letër, por nëse nuk veprojmë tani, do të mbetet vetëm një histori për të treguar,” deklaroi Olsi Nika nga EcoAlbania, duke paralajmëruar për pasojat që sjell mungesa e vullnetit politik.
Ndërkohë, Patagonia – kompania që e ka bërë mbrojtjen e planetit pjesë të ADN-së së saj – vazhdon të mbështesë kauza të tilla jetike, duke dhuruar qindra miliona dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe duke u bërë një zë i fuqishëm për natyrën e rrezikuar. Vjosa është sot një test i drejtpërdrejtë për të gjithë: a do të jetë Shqipëria në anën e natyrës, apo të shkatërrimit?