Zjarri përfshin kodrat e Gorishovës, reagimi i ngadaltë i shtetit

Flakët që nisën në pyjet e Drenovës janë përhapur me shpejtësi drejt Gorishovës, duke kërcënuar zona naftëmbajtëse dhe duke rrezikuar katastrofë mjedisore.

Pasditen e sotme, një zjarr i fuqishëm përfshiu masivin pyjor të Drenovës dhe, i shtyrë nga era e fortë, avancoi me shpejtësi drejt kodrave të Gorishovës. Flakët përfshinë një sipërfaqe të gjerë, duke krijuar panik në zonë dhe duke vënë në rrezik pasuri të mëdha natyrore e industriale.

Në orët e mëparshme, situata është bërë kritike pranë puseve të naftës 25 dhe 38, ku zjarri u afrua në distanca të rrezikshme, duke kërcënuar një katastrofë të mundshme industriale. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka shmangur më të keqen.

Ekipet e emergjencës nga Fier, Mallakastër, Roskovec, Berat, Patos dhe Albpetrol kanë punuar pandërprerë për të vënë situatën nën kontroll. Ndihmës u janë bashkuar edhe katër mjete zjarrfikëse të ushtrisë, të cilat aktualisht ndodhen në terren.

Pavarësisht përpjekjeve, zjarri vijon të përhapet në disa drejtime për shkak të erës, duke e bërë operacionin më të vështirë. Gjithsesi, përpjekjet për izolimin e flakëve janë intensifikuar, me shpresë për ta vënë nën kontroll para se të dëmtojë zona të banuara.

Në terren është parë edhe drejtori i Albpetrolit, Eltar Deda, i cili ka ndjekur nga afër ndërhyrjen. Megjithatë, prania e drejtuesve nuk mjafton për të kompensuar mungesën e masave parandaluese.

Ky nuk është rasti i parë kur zjarret shfaqen në këto zona me rrezikshmëri të lartë. Shteti vijon të mos ketë një strategji të qartë për parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave të tilla, duke e lënë sigurinë mjedisore në mëshirë të fatit.

Zjarret në pyje dhe afër zonave industriale nuk janë më thjesht aksidente sezonale, por sinjale të forta dështimi nga autoritetet që duhet të mbrojnë jetën, natyrën dhe ekonominë e vendit.

Ndaj Postimin: