Zjarr i rrezikshëm për Drenovën, ndërhyrja ajrore rifillon me helikopterë

Pas katër ditësh flakësh të pakontrolluara, zjarrfikësit dhe ushtria përpiqen të shpëtojnë masivin pyjor në Drenovë, duke shmangur një katastrofë në zonën naftëmbajtëse.

Prej katër ditësh, një zjarr i fuqishëm vazhdon të djegë sipërfaqe të gjera në masivin pyjor të Drenovës, në Mallakastër. Flakët nuk janë vënë ende plotësisht nën kontroll, duke rrezikuar zonën përreth dhe burimet natyrore.

Mëngjesin e sotëm, rreth 40 forca të ushtrisë iu bashkuan operacionit për të ndalur përhapjen e zjarrit. Sakaq, ndërhyrja ajrore ka rifilluar që në orën 06:00, duke intensifikuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Në terren ka zbritur edhe drejtori i përgjithshëm i AKMC, Haki Çako, i cili së bashku me autoritetet vendore, ka ndjekur nga afër operacionin dhe zhvillimin e situatës. Ai ka dhënë një deklaratë për mediat, ku është shprehur se vatrat janë aktualisht nën kontroll.

Sipas Çakos, përpjekjet po zhvillohen njëkohësisht nga ajri dhe toka. Ai theksoi se është shmangur një situatë shumë e rrezikshme pranë puseve të naftës dhe një nënstacioni elektrik, që mund të kishte pasoja katastrofike.

Gjithashtu, drejtori i AKMC theksoi domosdoshmërinë për një ashpërsim të legjislacionit kundër zjarrvënësve. Sipas tij, pa ndëshkime më të forta, ky fenomen do të vazhdojë të rrezikojë jetën dhe pasurinë publike.

Ndërhyrja nga ajri ka rifilluar përsëri rreth orës 11:00 me përdorimin e dy helikopterëve, të cilët janë aktivë në zonat më të papërdorshme nga toka, për të ndihmuar në shuarjen përfundimtare të flakëve.

Situata në Drenovë mbetet alarmante, ndërsa autoritetet kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim për të parandaluar dëmet e mëtejshme në mjedis dhe infrastrukturë.

Ndaj Postimin: