Kreu i bashkisë Mallakastër kërkon ndëshkime të ashpra për ata që djegin tokat dhe rrezikojnë jetën dhe infrastrukturën
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaili, ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë me zjarrin në Drenovë, duke kërkuar që autorët të përballen me ligjin. Ai i ka bërë thirrje autoriteteve për ndëshkimin e menjëhershëm të përgjegjësve që, sipas tij, shpesh janë vetë fermerët që djegin barërat në tokat e tyre bujqësore dhe ullishtet.
Ismaili e ka cilësuar veprimin e qëllimshëm të djegies së bimësisë si një sjellje të papërgjegjshme, e cila po përkeqëson situatën në terren dhe po kërcënon jetën, pronën dhe pasuritë publike. Ai tha se për shkak të zjarrit të një nate më parë, rrezikuan seriozisht disa objekte të rëndësishme infrastrukturore.
Në deklaratën e tij, kryebashkiaku theksoi se flakët i janë afruar rrezikshëm nënstacionit elektrik dhe puseve të naftës, që ndodhen në afërsi të zonës së zjarrit. Një shpërthim në këto zona do të kishte pasoja katastrofike për gjithë Mallakastrën.
Ai kërkoi ndërhyrje më të shpejtë dhe më të vendosur nga strukturat përkatëse, duke sugjeruar që të ngrihen hetime të menjëhershme për të identifikuar autorët dhe për t’i ndëshkuar sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Ndërkohë, Ismaili u bëri thirrje edhe qytetarëve të ndërgjegjësohen për pasojat që sjell djegia e qëllimshme e bimësisë. Ai u shpreh se nuk është e pranueshme që për pak bar të djegur, të vihet në rrezik një komunitet i tërë.
Situata në Drenovë vijon të mbetet kritike për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe mungesës së kontrollit të plotë mbi vatrat e zjarrit. Autoritetet vendore kanë kërkuar përforcime dhe mbështetje për menaxhimin e emergjencës.