Prej orëve të para të mëngjesit, flakët në Drenovë nuk ndalen ndërsa në zonë vijon operacioni ajror dhe tokësor për të shmangur përhapjen
Prej orës 6 të mëngjesit, forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë janë angazhuar për shuarjen e një zjarri të përmasave të mëdha në zonën e Drenovës, Mallakastër. Sipas informacioneve nga terreni, në operacion janë përfshirë 40 trupa të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i tipit Cougar.
Helikopteri ka nisur fluturimet mbi vatrat që në orët e para dhe ka kryer hedhje uji për afro tre orë me radhë. Situata në zonë paraqitet e vështirë për shkak të erës dhe temperaturave të larta që favorizojnë përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, edhe në tokë, ndërhyrja ka vijuar me intensitet nga forcat zjarrfikëse dhe personeli ushtarak që po përpiqen të izolojnë vatrat e zjarrit për të parandaluar që ato të afrohen drejt banesave të zonës.
Në zonë pritet të mbërrijë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, për të ndjekur nga afër operacionin dhe për të koordinuar veprimet në terren.
Zjarri në këtë zonë të mbrojtur malore po shkakton dëme të konsiderueshme në pyje dhe shkurre. Banorët janë të shqetësuar për sigurinë e banesave dhe gjendjen shëndetësore, për shkak të tymit të dendur.
Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë shtesë për të përballuar situatën, duke paralajmëruar se nëse flakët nuk izoloheshin brenda ditës, rreziku do të përfshinte një territor edhe më të gjerë.