Borxhet e ujësjellësve rriten ndërsa energjia paguhet me borxh

Ndërmarrjet e ujësjellësve në Shqipëri po e thellojnë krizën duke akumuluar borxhe ndaj OSHEE që tashmë arrijnë 330 milionë euro

Në kulmin e sezonit turistik, Shqipëria përballet me një tjetër krizë – mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në zonat bregdetare. Ndërkohë që kërkesat për shërbime bazë rriten, ndërmarrjet publike të ujësjellës-kanalizimeve (UK) po zhytin veten në borxhe gjithnjë e më të mëdha ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Sipas të dhënave zyrtare, në fund të pesëmujorit të parë të vitit 2025, detyrimet e UK-ve ndaj OSHEE-së kanë arritur në 33.3 miliardë lekë – rreth 330 milionë euro. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar thellimin e krizës së menaxhimit financiar.

Ndërsa qeveria ka nisur një reformë për ristrukturimin e sektorit të ujit, borxhet e papaguara po rëndojnë mbi OSHEE-në dhe njëkohësisht po demaskojnë mungesën e efiçiencës në administrim. Sistemet e amortizuara të shpërndarjes së ujit kërkojnë konsum të lartë energjie, por ndërmarrjet nuk arrijnë të mbulojnë as kostot minimale përmes të ardhurave.

Për më tepër, ndërmarrjet e ujësjellësit vazhdojnë të rrisin numrin e të punësuarve, pavarësisht performancës së dobët. Raportet zyrtare zbulojnë se në vitin 2024, treguesi i Eficiencës së Stafit ishte 4.51 punonjës për çdo 1000 lidhje ujësjellësi, më shumë se dyfishi i mesatares në Bashkimin Europian.

Zgjerimi i administratës nuk bazohet në nevoja reale apo objektiva efiçience, por në ndërhyrje politike dhe punësime klienteliste. Kjo situatë ka çuar në një sistem të rënduar, të paaftë të gjenerojë të ardhura dhe të shlyejë borxhet që po akumulohen në mënyrë të rrezikshme.

Qeveria ka nisur prej vitit 2022 reformën e bashkimit të 58 UK-ve në 15 shoqëri rajonale, me qëllim përmirësimin e eficiencës dhe mbledhjen e të ardhurave. Deri në mars 2025 janë krijuar 14 prej këtyre shoqërive, por efektet në terren janë ende të paqarta.

Ndërkohë që borxhet vazhdojnë të rriten dhe furnizimi me ujë përkeqësohet, qytetarët përballen me shërbime gjithnjë e më të dobëta, ndërsa ndërmarrjet publike funksionojnë si barrë financiare në vend të ofruesve të një të mire bazë. Reforma është në letër, por ka ende rrugë të gjatë për të sjellë ndryshim real.

Ndaj Postimin: