SPAK dërgon për gjykim Çyrbjen, Hajrin dhe Mashën për rrjedhje sekretesh dhe korrupsion zgjedhor

Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha akuzohen për rrjedhje sekretesh shtetërore dhe korrupsion zgjedhor në bashkëpunim kriminal.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale kundër tre personave të dyshuar për përfshirje në rrjedhje informacionesh të klasifikuara dhe korrupsion në zgjedhje. Në qendër të hetimeve qëndron Jurgis Çyrbja, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe bashkëpunim me persona të përfshirë në krim të organizuar.

Sipas dosjes së SPAK, gjatë periudhës maj 2020 deri mars 2021, Çyrbja ka nxjerrë informacione të klasifikuara nga sistemet TIMS dhe Policisë së Shtetit për persona në kërkim. Ai i ka shpërndarë këto të dhëna në mënyrë të fshehtë përmes platformave të enkriptuara si “Sky ECC” dhe “Matrix”.

Bashkë me të, Ahmet Masha dyshohet se ka ndihmuar në përhapjen e këtyre informacioneve dhe në përkrahjen e personave të shpallur në kërkim, duke dekonspiruar disa operacione të policisë. Hetuesit kanë dokumentuar të paktën tetë raste të tilla, që kanë ndihmuar të kërkuarit të shmangin arrestimin.

Një tjetër figurë kyçe në këtë dosje është Altin Hajri, aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ai ka pasur komunikime të vazhdueshme me Çyrbjen, i cili dyshohet se i ka premtuar ndikim në institucionet e drejtësisë në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në fushatë.

SPAK ka siguruar dëshmi dhe komunikime të shumta të përfituara nga hetimet me ndihmën e autoriteteve të huaja, përfshirë Francën, Holandën, Belgjikën, si dhe agjencitë ndërkombëtare Eurojust dhe Europol.

Ky hetim i thelluar dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë nxjerr në pah një skemë të mirëorganizuar të ndërhyrjes në proceset e drejtësisë dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve përmes lidhjeve kriminale dhe rrjedhjeve të informacionit të ndjeshëm. Tashmë, fjala i mbetet drejtësisë për të vërtetuar fajësinë e tyre.

Ndaj Postimin: