Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë raketat Patriot në Ukrainë, por pagesa do t’u kërkohet shteteve europiane aleate, duke e zhvendosur barrën financiare drejt kontinentit të vjetër.
Nga dita e sotme, dërgesat e armëve amerikane drejt Kievit do të vazhdojnë, por me një kthesë të re financiare. Sipas kushteve të reja të vendosura nga Shtëpia e Bardhë, faturën e ndihmës ushtarake do ta mbulojnë vendet europiane anëtare të NATO-s. Kjo strategji, e mbështetur nga Donald Trump, synon që SHBA të ruajë rolin e furnitorit pa mbartur edhe barrën ekonomike.
Edhe pse Trump deklaroi se “do të dërgojmë raketa Patriot, por Evropa do të paguajë për to”, sipas New York Times, nuk do të jetë as NATO dhe as BE që do të mbulojnë kostot, por shtetet veç e veç. Gjermania ka konfirmuar blerjen e dy baterive Patriot, ndërsa Norvegjia është zotuar për një tjetër.
Çmimet janë marramendëse. Një raketë e vetme Patriot kushton nga 2 deri në 4 milionë euro, në varësi të konfigurimit, ndërsa një lëshues kushton rreth 10 milionë euro. Një bateri e plotë arrin vlerën mbi 1 miliard euro, duke përfshirë radarët, sistemet e ndjekjes dhe transportit.
Sipas të dhënave të Institutit Kiel, që prej fillimit të luftës në shkurt 2022, SHBA ka shpenzuar gati 115 miliardë euro për ndihmën ndaj Ukrainës, nga të cilat 65 miliardë janë për armatime. Ndërkohë, BE ka ofruar rreth 60 miliardë euro, kryesisht në ndihmë financiare dhe më pak në kapacitete ushtarake.
Italia ndodhet në fund të listës sa i përket angazhimit financiar, me një kontribut që i kalon pak 2 miliardë euro. Në krahasim, Gjermania ka shpenzuar 16 miliardë, Britania e Madhe afro 20 miliardë, Holanda 8 dhe Franca 7 miliardë euro.
Krahas kostove të luftës, Europa duhet të përgatitet për shpenzimet e rindërtimit, të cilat parashikohet të kapin shifrën e 500 miliardë eurove. Kjo përbën një mundësi të artë për kompanitë private, por një barrë shtesë për buxhetet publike.
Në këtë sfond, po rishfaqet ideja e sekuestrimit të 300 miliardë dollarëve nga asetet ruse të ngrira në Europë dhe SHBA. Por ky skenar mbart pasoja të rënda. Nëse Perëndimi përdor fondet e ngrira të Moskës, vendet e tjera do ta shohin këtë si precedent të rrezikshëm dhe mund të zhvendosin kapitalin drejt tregjeve më të sigurta.
Banka Qendrore Evropiane dhe institucionet financiare kanë mbajtur qëndrim të kujdesshëm për këtë hap, pasi një vendim i tillë do të dobësonte edhe kartat diplomatike që mund të përdoren në çdo përpjekje për negociata me Rusinë. Nëse fondet harxhohen, Kremlini ka shumë gjasa të refuzojë çdo dialog të mundshëm në të ardhmen.