Flamurtari shton përvojën me afrimin e José Rodríguez

Mesfushori spanjoll José Rodríguez, me të kaluar te Real Madrid dhe Galatasaray, zyrtarisht pjesë e Flamurtarit për sezonin e ri futbollistik.

Klubi i Flamurtarit ka bërë një lëvizje të bujshme në merkaton verore, duke njoftuar zyrtarisht firmosjen e mesfushorit spanjoll José Rodríguez. 29-vjeçari i njohur për eksperiencën e tij në kampionatet më të forta të Europës, i bashkohet tashmë skuadrës vlonjate për të përforcuar repartin e mesfushës.

José Rodríguez ka një karrierë mbresëlënëse pas vetes, pasi është rritur te akademia e Real Madridit dhe ka luajtur me ekipin e parë të “Los Blancos”. Më tej, ai ka qenë pjesë e Deportivo La Coruña dhe Malaga në La Liga, ndërsa ka provuar veten edhe në Turqi me Galatasaray dhe Adana Demirspor.

Lista e klubeve ku ka luajtur përfshin gjithashtu emra si FSV Mainz 05 në Bundesligë, Maccabi Tel Aviv në Izrael dhe CF Fuenlabrada në ligat spanjolle. Ky bagazh e bën afrimin e tij një lëvizje strategjike për ambiciet që ka Flamurtari në sezonin e ardhshëm.

Në njoftimin e bërë nga klubi, thuhet se Rodríguez do të sjellë përvojën dhe vizionin e tij në mesfushë, ndërsa synimi është që skuadra të rritet në cilësi dhe të jetë më konkurruese në nivelet e larta.

Flamurtari, i rikthyer në elitën e futbollit shqiptar, po tregon me këtë merkato se kërkon të ndërtojë një skuadër të fortë dhe me profil ndërkombëtar. Afrimi i José Rodríguez është padyshim një sinjal i qartë për seriozitetin e projektit sportiv në Vlorë.

Tashmë, pritet me interes debutimi i mesfushorit spanjoll në fanellën kuqezi dhe ndikimi i tij në lojën e ekipit. Klubi dhe tifozët e Flamurtarit shpresojnë që përvoja e tij në skenat europiane të sjellë stabilitet dhe rezultate pozitive.

Ndaj Postimin: