Fusha e Maliqit sjell një nga sezonet më të begata për grurin, por mungesa e tregut dhe çmimi i ulët po rëndojnë mbi përpjekjet e fermerëve.
Pamje mbresëlënëse vijnë këtë sezon nga Fusha e Maliqit, një prej zonave më të njohura për prodhimtari bujqësore në juglindje të vendit. Këtë vit, fermerët e kësaj treve kanë korrur një nga vitet më të pasura në prodhim gruri, falë tokës pjellore dhe përkushtimit të tyre të palëkundur.
Megjithë mungesat në infrastrukturë dhe mbështetjen e pamjaftueshme, banorët e zonës kanë vijuar të punojnë çdo ditë tokën me mjete të kufizuara, duke mbajtur gjallë një traditë të hershme bujqësore. Gruri i Maliqit njihet për cilësinë dhe freskinë, duke u renditur mes produkteve më të kërkuara në tregjet vendase dhe të huaja.
Kjo fushë, që dikur ishte një kënetë e padobishme, sot është shndërruar në një pasuri të gjelbër që ofron bukuri natyrore dhe potencial ekonomik, e ndërtuar fjalë për fjalë me duart e njeriut. Ndryshimi monumental i kësaj zone vjen si rezultat i përpjekjeve të pandërprera të komunitetit vendas.
Edhe pse viti ka qenë i mbarë për nga prodhimi, fermerët po përballen me vështirësi serioze. Çmimi i grurit në tregun vendas mbetet i ulët dhe nuk justifikon kostot e larta të punës dhe të inputeve bujqësore, ndërsa mundësitë për eksport janë të kufizuara, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Mungesa e një rrjeti të organizuar shitjeje dhe mungesa e vëmendjes institucionale për bujqësinë, po pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone me potencial të lartë. Fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të siguruar tregje të qëndrueshme dhe çmime dinjitoze.
Nëse nuk merren masa konkrete për të mbështetur prodhuesit vendas, rrezikohet jo vetëm sezoni i ardhshëm, por edhe vetë qëndrueshmëria e bujqësisë në këtë rajon që prej vitesh ka ushqyer jo vetëm familjet e veta, por edhe shumë tregje përtej kufijve.