Mashtrimi me luksin: si Sazani i varfëron shqiptarët dhe pasuron të huajt

Planet për turizëm luksoz në Sazan rrezikojnë të përjashtojë shqiptarët nga bregdeti dhe të përfitojnë vetëm miliarderët ndërkombëtarë

Rritja e interesit amerikan për ishullin e Sazanit dhe promovimi i tij si destinacion luksi nga qeveria shqiptare po ndez shqetësime të mëdha tek qytetarët, veçanërisht ata të zonës së Vlorës. Banorët paralajmërojnë se kjo nismë do të sjellë rritje të çmimeve, dëbim të komunitetit lokal dhe përfitime vetëm për elitat e huaja.

Ndërsa figura të njohura si Leonardo DiCaprio blejnë ishuj për t’i ruajtur nga shkatërrimi mjedisor, Sazani po përgatitet të shndërrohet në një parajsë elitare për turistët më të pasur të planetit. Nga ana tjetër, shqiptarët mund të humbasin aksesin tek pasuritë e tyre natyrore, nën pretekstin e “zhvillimit të turizmit”.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për turizëm luksoz po aq sa një shkretëtirë për ujë. Por realiteti flet ndryshe: turizmi i tillë po e përjashton qytetarin e zakonshëm nga çdo mundësi për të pushuar në vendin e vet. Rritja e çmimeve në sektorin e hotelerisë është tashmë e prekshme.

Sipas të dhënave të revistës Monitor, çmimet e akomodimit janë rritur me 25 deri në 30 për qind vetëm gjatë vitit 2024. Në zonën e Vlorës, Sarandës dhe Ksamilit, hotelet që dikur kushtonin 40-50 euro nata, sot e kalojnë shpesh 90 euro, ndërsa për një dhomë me pamje nga deti, çmimi arrin edhe mbi 200 euro.

Fluksi i kapitalit të huaj, sidomos ai amerikan, po ushqen inflacionin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Investimet e miliarderëve, si ato të familjes Trump, nuk përkthehen në përmirësim të jetës së vendasve, por përkundrazi, i largojnë ata nga trojet përmes çmimeve të papërballueshme dhe zhvendosjeve të detyruara.

Ky fenomen nuk është unik për Shqipërinë. Kroacia përjetoi një skenar të ngjashëm, ku fluksi i turistëve gjermanë ndikoi ndjeshëm në rritjen e çmimeve. Sot, shumë italianë e kanë përjashtuar atë nga destinacionet e tyre, për shkak të kostove të larta. Shqipëria ishte një nga destinacionet e fundit të përballueshme në rajon – por jo për gjatë.

Nëse kjo tendencë vazhdon, turizmi nuk do të mbështesë zhvillimin lokal, por do të shërbejë si mjet për pasurimin e një pakice. Me pagat e ulëta që marrin shqiptarët, ata do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë pushime në vendin e tyre, ndërsa të huajt do të pushtojnë edhe plazhet e fundit të mbetura të lira.

Ndaj Postimin: