Mbrojtësi i Chelseat, Levi Colwill, paralajmëron PSG-në para finales: “Nuk jemi as Interi e as Reali, ne jemi ndryshe.”
Në prag të finales së Kupës së Botës për Klube, qendërmbrojtësi i Chelseat, Levi Colwill, ka dhënë një mesazh sfidues ndaj PSG-së, duke theksuar se skuadra londineze nuk krahasohet me asnjë tjetër ekip që parizienët kanë përballuar më parë. Colwill pritet të rikthehet në formacion pas përfundimit të pezullimit dhe është i vendosur të bëjë diferencën në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Në konferencën për shtyp, mbrojtësi anglez theksoi se Chelsea është një skuadër me stil unik, që nuk ngjan as me Real Madridin e as me Interin, duke nënvizuar se presioni dhe loja që ofron skuadra e tyre është krejtësisht ndryshe.
“Real Madridi është skuadër e madhe, por nuk luan si ne, nuk ushtrojnë presionin që bëjmë ne,” u shpreh Colwill. “PSG nuk duhet të presë të njëjtën ndeshje si më parë. Ne jemi ndryshe. Lojtarët tanë janë të ndryshëm dhe kemi një qasje tjetër.”
Ai kujtoi se shumë nuk e kishin besuar kur në fillim të turneut deklaroi se Chelsea do të shpallej kampion, por sot është më afër se kurrë për ta realizuar atë premtim. “Nuk po flisja për të bërë bujë. E kam thënë që në fillim: do të ishim kampionë, dhe tani jemi në finale,” deklaroi me vendosmëri Colwill.
Skuadra londineze ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm deri në finalen kundër Paris Saint-Germain dhe besimi i lojtarëve duket se është më i fortë se kurrë. Për Colwill dhe Chelsean, kjo është një mundësi për të treguar se nuk janë thjesht pjesëmarrës, por pretendentë të vërtetë për trofeun.
Presioni i finales duket se nuk i frikëson Blutë e Londrës. Përkundrazi, mesazhi i Colwill është një sinjal i qartë se Chelsea kërkon të shkruajë historinë me një stil të vetin, larg krahasimeve me gjigantët evropianë që kanë qenë më parë në të njëjtin skenë.
Ndërsa bota pret me kuriozitet ndeshjen, Chelsea e ka bërë të qartë: nuk vjen në finale për të bërë figurë, por për të fituar. Dhe në krye të kësaj bindjeje, qëndron zëri i një mbrojtësi që nuk i druhet asnjë emri të madh.


