Mickoski akuzon Bullgarinë për qëllime asimiluese ndaj popullit maqedonas

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e krahasoi qasjen e politikanëve bullgarë me agresionin rus ndaj Ukrainës, duke folur për rrezikun e asimilimit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Bullgarisë, duke pretenduar se politika e saj synon asimilimin e popullit maqedonas. Në një deklaratë të bërë në Ohër, Mickoski e krahasoi këtë qasje me qëllimet e udhëheqjes ruse në Ukrainë.

“E gjithë bota, përfshirë Europa, tashmë e ka kuptuar qartë qëllimin e politikanëve bullgarë. Ai nuk ndryshon nga qëllimi i Rusisë në Ukrainë – përpjekja për asimilim të një populli të tërë,” deklaroi ai me tone të forta.

Kryeministri shtoi se përballë kësaj përpjekjeje, Maqedonia e Veriut duhet të mbrojë identitetin kombëtar dhe të qëndrojë e bashkuar kundër presioneve të jashtme që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë kohezionin kombëtar.

Mickoski komentoi shkurtimisht edhe incidentin e ndodhur me kryetaren e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila u raportua të ishte sulmuar gjatë një kontrolli ndaj ndërtimeve pa leje në Komunën e Çairit. Ai tha se “nuk kam çfarë të shtoj – institucionet duhet të veprojnë”.

Arsovska ka deklaruar se gjatë inspektimit në Çair është sulmuar fillimisht verbalisht, e më pas fizikisht, para syve të pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, çka ka ngritur shqetësime për sigurinë e zyrtarëve lokalë në terren.

Incidenti ka tërhequr vëmendjen publike dhe pritet të ndiqet nga reagime institucionale. Ndërkohë, deklaratat e Mickoskit kanë ndezur sërish debatet për marrëdhëniet e tensionuara mes Shkupit dhe Sofjes, të cilat mbeten të brishta pavarësisht ndërmjetësimeve ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: