Dy shqiptarë të deportuar më parë nga Britania u kapën duke kultivuar mbi 600 bimë kanabisi në një magazinë në Yorkshire, me vlerë mbi 1 milion paund.
Fatos Demucaj, 34 vjeç, dhe Daniel Kabali, 22 vjeç, janë rikthyer në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, ku drejtonin një fermë kanabisi në qytetin Bradford. Operacioni u godit në prill nga policia britanike pas një bastisjeje në ndërtesën e quajtur Woolston Warehouse.
Gjatë kontrollit, oficerët gjetën rreth 600 bimë kanabisi të gatshme për dy cikle prodhimi, secili me rreth 50 kg produkt të përpunuar. Vlera totale e drogës së sekuestruar u vlerësua në afërsisht 1 milion paund, ndërsa ambienti ishte përshtatur me instalime speciale për kultivim.
Dy shqiptarët kishin modifikuar ndërtesën për ta kthyer në laborator, duke ndërhyrë në sistemin elektrik dhe duke shtuar oxhaqe për ventilim. Ata kishin organizuar gjithçka për të fshehur aktivitetin e paligjshëm, por një hetim i detajuar i policisë çoi në zbulimin e tyre.
Demucaj u ndalua në momentin që po përpiqej të largohej nga magazina, ndërsa Kabali u arrestua në katin e tretë, ku fshihej. Hetimet zbuluan se të dy ishin deportuar më parë nga Britania, por ishin rikthyer ilegalisht për të vijuar aktivitetin kriminal.
Prokurori Jordan Millican deklaroi në Gjykatën e Kurorës në Bradford se Kabali kishte qenë më parë i dënuar me 15 muaj burg në një institucion për të mitur, ndërsa Demucaj kishte hyrë për herë të parë në vitin 2013 dhe ishte dënuar më vonë për posedim droge të Klasit A.
Pavarësisht se ishte deportuar dy herë, për herë të fundit në maj 2023, Demucaj ishte rikthyer sërish për të drejtuar fermën. Të dy pranuan fajësinë për shkelje të urdhrave të deportimit dhe për prodhim narkotikësh.
Gjykata dënoi Kabalin me katër vjet burg dhe Demucajn me katër vjet e tre muaj. Pas përfundimit të gjysmës së dënimit në burgjet britanike, të dy do të deportohen sërish drejt Shqipërisë.