Turisteja ukrainase humbi jetën në një plazh privat në Vlorë, ndërsa vajza e saj 18-vjeçare ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Një ngjarje tragjike tronditi sot qytetin e Vlorës, ku një nënë ukrainase humbi jetën pasi u mbyt në det, ndërsa vajza e saj adoleshente u transportua në spital në gjendje kritike. Aksidenti ndodhi në një plazh privat, i cili nuk kishte roje bregdetare në shërbim.
Shefi i Reanimacionit në spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, konfirmoi se turistja 44-vjeçare mbërriti pa shenja jete, pavarësisht përpjekjeve.. “Pacientja erdhi pa puls, tentuam rikthimin por ishte tepër vonë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, vajza e saj 18-vjeçare u dërgua në spital në gjendje kome. Pas trajtimit emergjent dhe normalizimit të tensionit, ajo filloi të reagonte pas rreth një ore. Sipas mjekëve, gjendja e saj është aktualisht e qëndrueshme dhe ekziston mundësia që të mbijetojë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se plazhi ku ndodhi ngjarja nuk ishte i pajisur me vëzhgues bregdetar, siç e kërkon ligji. Policia ka shoqëruar gjashtë persona në komisariat, përfshirë edhe punonjës të Policisë Bashkiake, që kishin detyrën për të monitoruar sigurinë në zonën e plazheve.
Një qytetar, që tentoi të ndihmonte viktimat, tregoi se ambulanca mbërriti me të paktën 30 minuta vonesë. Sipas tij, trafiku i rënduar në Lungomare dhe mungesa e menaxhimit të korsive të emergjencës penguan reagimin në kohë të ndihmës mjekësore.
Pushues të tjerë shprehën shqetësim për mungesën e infrastrukturës dhe personelit të nevojshëm në plazhet private, ndërsa theksuan se ndodhitë e tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në mungesë të kontrollit real nga autoritetet.
Kjo tragjedi risjell në vëmendje nevojën për masa të menjëhershme për sigurinë në bregdet, ku sezoni turistik shënon fluks të lartë vizitorësh, por mungojnë standardet minimale të mbrojtjes së jetës.