Nga viti 2026, të rinjtë kroatë do thirren për trajnim dy mujor dhe do ndëshkohen financiarisht në rast mospjesëmarrjeje
Qeveria kroate ka miratuar një projektligj të ri për mbrojtjen dhe shërbimin në Forcat e Armatosura, duke rikthyer pas 18 vitesh shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ky ndryshim parashikon që rekrutimi të nisë nga viti 2026, me një kohëzgjatje dy mujore për çdo qytetar të thirrur.
Sipas këtij ligji, të gjithë shtetasit meshkuj regjistrohen automatikisht në moshën 18-vjeçare, ndërsa trajnimi ushtarak fillon një vit më vonë, në moshën 19-vjeçare. Megjithatë, autoritetet mund të thërrasin edhe persona deri në moshën 30 vjeç në raste të veçanta. Për ata që nuk i përgjigjen thirrjes, është parashikuar një gjobë që varion nga 250 deri në 1.320 euro.
Për më tepër, refuzimi për t’u paraqitur në shërbim mund të sjellë edhe detyrim fizik për të qenë pjesë e trajnimit, nëpërmjet urdhrit të lëshuar nga institucionet përkatëse. Ndërkohë, vajzat nuk janë të detyruara të marrin pjesë, por ligji ua mundëson këtë në mënyrë vullnetare.
Një risi në këtë reformë është trajtimi financiar i rekrutëve. Gjatë dy muajve të trajnimit, ata do të paguhen me 1.100 euro neto në muaj. Gjithashtu, kjo periudhë do të njihet si stazh pune, duke ofruar përfitime të drejtpërdrejta në karrierën e tyre profesionale.
Qytetarët që shërbejnë nuk do të humbin vendin e punës gjatë kësaj periudhe. Ligji ndalon shkarkimin nga puna për shkak të përfshirjes në shërbimin ushtarak. Për më tepër, ata që janë të papunë do të përfitojnë përparësi në punësim pranë institucioneve shtetërore.
Për studentët dhe sportistët që marrin pjesë në gara evropiane apo botërore, ligji ofron fleksibilitet. Ata mund të kërkojnë shtyrjen e shërbimit ushtarak ose civil deri në moshën 29-vjeçare, me kushtin që arsyeja të jetë e justifikuar dhe e dokumentuar.
Rikthimi i shërbimit ushtarak në Kroaci ka shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik. Qeveria e konsideron këtë hap të nevojshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, ndërsa kritikët ngrejnë pikëpyetje mbi efektivitetin dhe mënyrën e zbatimit të këtij ligji.