Përplasjet për mandatin e vetëm të “Nisma Shqipëria Bëhet”, dilema mes fjalës së dhënë dhe lojës politike në KQZ

Zeqir Kordhoni kërkon të tërheqë dorëheqjen dhe sfidon Adriatik Lapajn, i cili përballet me vendimin nëse do të marrë mandatin në Kuvend

Në një situatë të pazakontë për politikën shqiptare, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” përballet me një ngërç të brendshëm për mandatin e vetëm të fituar në qarkun e Tiranës. Përplasja vjen mes parimeve të premtuara para zgjedhjeve dhe vendimeve që po merren pas përfundimit të tyre.

Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listën e mbyllur të koalicionit dhe njëkohësisht daja i Endri Shabanit – bashkëthemelues i lëvizjes – ka dërguar një letër zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon të ketë kopje të dorëheqjes së firmosur në emrin e tij. Ai shprehet se është “deputet i Nismës” dhe lë të kuptohet se ka ndryshuar mendim për dorëheqjen që më herët ishte firmosur në kuadër të marrëveshjes së brendshme politike.

Nëse Kordhoni nuk e formalizon dorëheqjen në KQZ, ai mbetet automatikisht përfitues i mandatit të vetëm të koalicionit. Ky veprim e vë në pozitë të vështirë Adriatik Lapajn, i cili rezulton kandidati më i votuar në listën e hapur, por që për shkak të renditjes në listën e mbyllur, nuk mund të hyjë në Kuvend pa dorëheqje të të renditurve para tij.

Sipas burimeve të brendshme, Lapaj dhe Shabani kishin vendosur që lista e mbyllur të funksiononte si një formë teknike, me qëllim që të gjithë emrat të dorëhiqeshin dhe mandati t’i jepej kandidatit më të votuar – në këtë rast vetë Lapajt. Por situata është ndërlikuar nga vendimi i papritur i Kordhonit për të mos hequr dorë.

Gjatë fushatës, Lapaj deklaroi publikisht se nuk do të pranonte të hynte në Parlament nëse koalicioni do të siguronte vetëm një mandat. Sot, ai përballet me presionin e brendshëm nga mbështetësit e tij, që kërkojnë që ai të marrë përgjegjësinë dhe të përfaqësojë votën popullore.

Për më tepër, në të dhënat e dorëzuara në KQZ, Kordhoni deklaron se është invalid dhe përfiton nga skema KEMP, çka shton diskutimet rreth përshtatshmërisë së tij për një mandat aktiv në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërsa pritet reagimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, situata ka futur “Nisma Shqipëria Bëhet” në një krizë të brendshme legjitimiteti dhe transparence. Zgjedhja përfundimtare do të ndikojë jo vetëm përfaqësimin politik, por edhe imazhin e një force që u pozicionua si alternativë etike në skenën politike shqiptare.

Ndaj Postimin: