Lëvizje të pjesshme në administratën e Fierit, disa emra i shpëtojnë vetëpastrimit

Reforma e dorëheqjeve në Fier nis zbatimin, por përjashtohen emrat e emëruar pas janarit dhe figurat e reja publike

Në Fier kanë nisur dorëheqjet e para të drejtuesve të institucioneve lokale, në kuadër të reformës së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për vetëpastrim administrativ. Burime nga selia e Partisë Socialiste në Fier bëjnë me dije se kërkesa për dorëheqje ka përjashtime të qarta për disa funksione.

Në një mbledhje të zhvilluar pak ditë më parë, Rama sqaroi se ky aksion nuk përfshin emërimet e kryera pas muajit janar të këtij viti. Kjo do të thotë se disa drejtues të rinj, të vendosur në pozicionet e tyre vetëm në muajt e fundit, nuk do të jenë të detyruar të dorëhiqen.

Në Fier, drejtuesit e OSHEE-së, Kadastres dhe Tatimeve nuk preken nga urdhri i dorëheqjes, pasi janë jo vetëm të emëruar rishtaz, por edhe konsiderohen si figura të reja në administratën publike. Reforma e kryeministrit është përqendruar kryesisht në largimin e drejtuesve të vjetër, të cilët përbëjnë “bërthamën” që kërkohet të pastrohet.

Për pasojë, situata në Fier duket më e qartë: kush ka hyrë rishtazi në administratë do të vijojë punën, ndërsa drejtuesit e vjetër pritet të lënë detyrën. Në Bashkinë e Fierit, megjithatë, ende nuk janë dorëzuar dorëheqjet e dy nënkryetarëve, por burime jozyrtare flasin për një emër të ri në horizont.

Sipas këtyre burimeve, një nga emrat më të përfolur për të zëvendësuar njërin prej nënkryetarëve është Nustret Avdulla, ish-deputet i PDIU-së, i cili iu bashkua Partisë Socialiste pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Aktualisht janë rreth 1100 kandidatura që qarkullojnë për postet drejtuese në bashki dhe drejtoritë rajonale, por ende nuk ka një listë zyrtare me emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqjen. Ajo që dihet me siguri është se disa institucione, si Tatimet, Kadastër dhe OSHEE, do të mbeten jashtë listës së goditjeve, pikërisht për shkak të emërimeve të fundit ose për shkak se drejtuesit janë të komanduar.

Kjo valë dorëheqjesh po shihet si një manovër politike për të rifreskuar administratën dhe për të larguar figurat e konsumuara nga drejtimi vendor, por selektiviteti i aplikimit ka ngritur pikëpyetje për seriozitetin e këtij procesi.

Ndaj Postimin: