Bitcoin ka arritur një rekord të ri në bursë të hënën në mbrëmje, duke u këmbyer për herë të parë në 89 mijë dollarë, duke vazhduar rritjen e saj të qëndrueshme.
Kriptovaluta më e madhe në botë ka parë një rritje të ndjeshme vlerës pas fitores së Presidentit Donald Trump në SHBA, e cila ka pasur një ndikim pozitiv në tregun e kriptomonedhave.
Bitcoin nisi të rritej menjëherë pasi Trump mori udhëheqjen në garën presidenciale gjatë numërimit të votave në SHBA dhe ka vazhduar të fitojë vlerë edhe pas fitores. Një javë pas ngjarjes, vlera e Bitcoin është rritur me mbi 25%, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rritja e saj arrin në 140%. Ky trend i rritjes ka ngjallur optimizëm në industri, ku ekspertët besojnë se fitorja e Trump është një shenjë pozitive për Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera dixhitale.
Industria e kriptomonedhave ka parë një vlerë totale të tregut prej 3.1 trilionë dollarësh, ku Bitcoin dominon me 57% të vlerës së përgjithshme. Pas Bitcoin, disa nga kriptovalutat më të njohura janë Ethereum, Tether, Solana dhe BNB. Fitorja e Trump ka ngjallur besim te investitorët, pasi vetë Presidenti i zgjedhur ka një aksion financiar në kriptovaluta dhe ka shprehur mbështetje për zhvillimin e këtij sektori. Madje, në gusht, ai deklaroi se kriptovalutat mund të “përcaktojnë të ardhmen” dhe shprehu dëshirën që ato “të minohen dhe të prodhohen në SHBA”.
Ky zhvillim ka nxitur një rritje të interesit për kriptovalutat, duke e vendosur Bitcoin në fokus të investitorëve globalë, të cilët e shohin atë si një mundësi të rëndësishme për diversifikimin e portofolieve të tyre.