Shtatë grupe me saze popullore nga Myzeqeja dhe më gjerë u ngjitën në skenë në Krutje, për të përcjellë trashëgiminë muzikore të krahinës.
Në qendrën administrative të Krutjes, në zemër të Myzeqesë, u organizua mbrëmjen e së mërkurës edicioni i pestë me radhë i festivalit “Kabaja Myzeqare”. Ky takim tradicional i sazeve popullore mblodhi artistë e muzikantë nga zona të ndryshme, për të ndarë me publikun tingujt karakteristikë të kësaj krahine.
Festivali u zhvillua me një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, duke shpalosur vlera të rralla të trashëgimisë muzikore shqiptare. Skena u dominua nga grupet pjesëmarrëse të cilat performuan me instrumente popullore dhe veshje tradicionale, duke krijuar një mbrëmje autentike për të gjithë të pranishmit.
Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Lushnjë dhe në mënyrë të veçantë të kryetares Eriselda Sefa, festivali u bë një mundësi për të promovuar kulturën myzeqare, larg natyrës konkurruese dhe më pranë ndarjes së pasionit dhe identitetit muzikor.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin shtatë grupe muzikore që përfaqësuan qytete dhe fshatra me tradita të lashta në muzikën popullore. Mes tyre u veçuan grupi i Samanit nga Fieri, grupi “Dëshira” nga Belshi, sazet e Krutjes, grupi i Dimalit, “Bilbilat e Veriun”, grupi i Fier-Sheganit dhe grupi i Kozarës nga Kuçova.
Ndërsa nuk pati një ndarje çmimesh, mbrëmja u karakterizua nga një ndërthurje e emocioneve, këngëve dhe interpretimeve mjeshtërore që vërtetuan gjallërinë dhe fuqinë shprehëse të muzikës tradicionale të kësaj zone.
Ky festival nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi identitetin muzikor të Myzeqesë. Përmes sazeve, këngëve dhe prezencës masive të artdashësve, Krutja edhe këtë vit u shndërrua në një qendër të gjallë të kulturës popullore shqiptare.
Ngjarja u raportua nga gazetari Ndriçim Gjoshi.