Transferimi i Theos drejt Arabisë Saudite, Milan në prag të një fitimi të majmë financiar

Theo Hernandez largohet nga Milani pas disa sezonesh, ndërsa pritet të zyrtarizohet te Al Hilal pas testeve mjekësore në Riad

Pas disa ditësh spekulimesh, duket se largimi i Theo Hernandez nga Milan është çështje kohe. Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, mbrojtësi francez është drejt mbylljes së marrëveshjes me klubin saudit Al Hilal.

Hernandez pritet të largohet nga pushimet për t’u paraqitur në qendrën mjekësore të klubit të ri. Pas kryerjes së analizave rutinë, ai do të udhëtojë drejt Riadit, ku pritet të nisë zyrtarisht kapitullin e ri të karrierës në futbollin aziatik.

Marrëveshja financiare mes dy klubeve është mbyllur për rreth 25 milionë euro. Një shumë e konsiderueshme, nëse merret parasysh që kontrata aktuale e Theos në bilancin e Milanit peshonte pak më shumë se 3 milionë euro.

Kjo do të thotë se klubi italian do të regjistrojë një fitim kapital prej afërsisht 22 milionë eurosh në bilancin financiar të vitit 2025/26. Një lëvizje që jo vetëm ul kostot e pagave, por rrit edhe manovrën ekonomike për afatin kalimtar veror.

Largimi i francezit është një tjetër sinjal i qartë se klubet europiane nuk mund të rivalizojnë më ofertat e majme që vijnë nga Lindja e Mesme. Al Hilal po ndërton një skuadër të fuqishme dhe me përvoja të mëdha ndërkombëtare, këtë herë nën drejtimin e trajnerit italian Simone Inzaghi.

Hernandez, që ka qenë një nga figurat kryesore të Milanit në vitet e fundit, largohet në një moment kur klubi është në fazë tranzicioni dhe po kërkon të ripërtërijë organikën.

Për zyrtarizimin e plotë të transferimit pritet vetëm konfirmimi nga Al Hilal, ndërsa tifozët e Milanit tashmë kanë filluar të llogarisin si do të zëvendësohet një nga mbrojtësit më të spikatur të skuadrës.

Ndaj Postimin: